A i ka vlerësuar raporti i FEB-it reformat e qeverisë në shëndetësi dhe arsim? – Exit shpjegon

A i ka vlerësuar raporti i FEB-it reformat e qeverisë në shëndetësi dhe arsim? – Exit shpjegon

Kryeministri Rama u shpreh sot se Forumi Ekonomik Botëror (FEB) ka vlerësuar reformat e qeverisë në shëndetësi dhe arsim, duke e renditur Shqipërinë në këto fusha të 33-tën nga 138 vende të vëzhguara.

Por kjo deklaratë duket se është keqinformuese. Raporti i Konkurueshmërisë në Botë 2016-2017 i FEB nuk mat dhe nuk vlerëson reformat në shëndetësi apo arsim. Raporti thjesht vëzhgon ekzistencën e disa sëmundjeve dhe disa indikatorë dytësore të këtyre fushave për ndikimin që ato mund të kenë në biznes.

Konkretisht raporti vlerëson shpeshtësinë, përhapjen në popullsi dhe ndikimin në biznes të tre sëmundjeve epidemike: malaria, tuberkulozi dhe HIV/AIDS.

Të treja këto sëmundje, kryesisht të përhapura në vendet afrikane, ndikojnë direkt në madhësinë dhe cilësinë e fuqisë punëtore të një vendi, si pasojë e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë të fuqisë punëtore, si dhe jetëgjatësisë së popullsisë.

Raporti përfshin treguesit e mëposhtëm dhe jep vlerësimet e renditjen përkatëse:

  • Shpeshtësia e malaries në popullatë (për 100 mijë banorë): Shqipëria nuk ka ofruar të dhëna zyrtare për këtë tregues.
  • Ndikimi i sëmundjes së malaries në biznes: për shkak të mungesës së të dhënave zyrtare për shpeshtësinë, raporti nuk e ka renditur Shqipërinë për këtë tregues.
  • Shpeshtësia e tuberkulozit në popullatë (për 100 mijë banorë):  janë raportuar 19 të prekur për 100 000 banorë. Shqipëria renditet në vend të 44-ta nga 138 vendet e vëzhguara. Në rajon, ajo renditet më poshtë se Greqia, Maqedonia, Serbia dhe Kroacia, të cilat janë vendet e rajonit të përfshirë në raport.
  • Ndikimi i sëmundjes së tuberkulozit në biznes – Shqipëria renditet në vend të 40-të, më dobët në krahasim me vendet e rajonit.
  • Përhapja e SIDA-s dhe HIV-it: 0,1 për qind e popullsisë 15-49 vjeç është e prekur. Shqipëria renditet e para nga 138 vende të botës, me një përqindje më të ulët.
  • Ndikimi i HIV/AIDS në biznes: Shqipëria renditet në vend të 28 nga 138 vende. Kjo renditje duket sikur bie ndesh me renditjen e para në botë për numrin e të infektuarve me HIV/AIDS.
  • Vdekshmëria foshnjore (për 1000 lindje): Shqipëria ka 12,5 vdekje për 1000 lindje dhe renditet në vend të 69-të, më dobët se Maqedonia, Serbia, Greqia dhe Kroacia.
  • Jetëgjatësia: Jetëgjatësia mesatare është  77,8 vjet. Shqipëria renditet në vend të 38-të.
  • Cilësia e arsimit fillor:  Shqipëria renditet në vend të 22-të nga 138 vende.
  • Regjistrimi në shkollat fillore: 95,5 për qind e fëmijëve regjistrohen në shkollën fillore. Shqipëria renditet në vendin e 63-të.

Nga treguesit e mësipërm duket qartë se treguesit e përdorur në raportin e FEB-it nuk kanë lidhje me politikat shëndetësore apo arsimore të ndërmarra nga qeveria dhe as me gjendjen e përgjithshme në vend.

FEB nuk vëzhgon kushtet e spitaleve e shkollave apo shërbimet e ofruara prej tyre, të cilat ndikohen drejtëpërdrejtë nga politikat e qeverisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>