Shqipëria është shndërruar në një plantacion të madh droge nga veriu në jug dhe shërben si autostradë për trafikimin e drogës në Evropë. Kështu duket se pohon një raport sekret i hartuar nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat—shërbimi i kontrollit të ligjshmërisë së brendshme i Ministrisë së Brendshme.
Portali 360gradë.al ka publikuar sot imazhe të dokumentit të pretenduar. Pak ditë më parë, ishte gazeta Shekulli e cila shkroi për ekzistencën e një raporti të tillë, por Policia e Shtetit e përgënjeshtëroi tërësisht këtë lajm.
Dokumenti i publikuar nga 360grade.al jep detaje për të 12 qarqet e vendit, duke nxjerrë në pah zonat më problematike.
Sipas tij, në të gjithë vendin janë rreth “363 zona që janë kthyer në plantacione gjigande droge”.
“Rajoni i Shkodrës është qarku me riskun më të lartë. Terrenet e thyera favorizojnë kultivuesit. Zbulueshmëria është akoma në nivele të dobëta nga ana e policisë,” shkruhet për Shkodrën.
Për qarkun e Fierit, shkruhet se “në tre vitet e fundit, kultivimi i bimës narkotike ka marrë prioritet në të pesta bashkitë e tij: Fier, Patos, Rroskovec, Lushnjë dhe Mallakastër.”
Raporti tregon me detaje përgatitjet për mbjelljen e bimës dhe rekrutimin e punonjësve nga bandat kriminale.
“Ka filluar puna për rekrutimin e punonjësve për të pregatitur tokën dhe infrastruturën pëe kultivimin e bimëve narkotike. Tani për tani farat e cannabis-it i kanë hedhur në gota plastike dhe i kanë vendosur në sera në mënyrë që pas rreth dy-tre javësh t’i mbjellin në gropa tashmë thuajsë të hapura.”
Policia e Shtetit dhe Ministria e Brendshme ende nuk kanë reaguar lidhur me këtë dokument.