Kryebashkiaku Veliaj prezantoi sot planin e ri urbanistik të Tiranës, i cili do të zbatohet në tre vitet e ardhshme.
Në një takim zhvilluar tek Piramida, Zoti Veliaj bashkë me arkitektin Stefano Boeri folën për ndryshimet që do të pësojë Tirana. Më poshtë janë disa nga deklaratat kryesore të tyre:
Kryebashkiaku Veliaj:
- Ka shumë njerëz që thonë “Unë i urrej kullat”, po mirë t’ju bëj një pyetje. Nëse ne kemi një hapësirë 500 metra katrorë, është më mirë që dikush ta zërë të gjithë këtë 500 metra katrorë, në pronën e vet private, me të drejtën për ta zhvilluar, me dy kate, pra 1 mijë metra katrorë t’i zhvillojë në këtë 500 metërsh, apo mos është më inteligjente që të përdori vetëm 100 metra katrorë, ta bëjë 10 katësh dhe të gjithë hapësirën tjetër t’ia lërë publikut? Sepse ajër kemi, tokë nuk kemi.
- Deri më sot kemi patur plane urbanisitike në interes të lejeve të ndërtimit. Por bashkia nuk është një zyrë vetëm për ndërtuesit. Ne kemi një plan që akomodon interesat publike, por nuk përjashton as ndërtuesit.
- Ky vit mbyll historinë e planit në vitin tonë të parë dhe pastaj tre vitet e tjera të punojmë për implementimin. Do të vazhdojmë me kalimin e planit në Këshillin Bashkiak dhe KRRT-në gjatë muajit nëntor.
- Ne kemi realizuar rreth 100 dëgjesa publike, 3 të mëdha në nivel ekspertësh.
- Bashkia ka një projekt ambicioz për ta kthyer Piramidën në një hapësirë publike, për t’ua kthyer qytetarëve të Tiranës, për ta bërë të aksesueshme për aktivitete publike. Do shërbejë për prezantimin e eventeve të ndryshme festive, ceremoni të rëndësishme.
- Trafiku nuk çlirohet duke bërë më shumë rrugë apo korsi. Duhet të shtojmë korsitë alternative. Propozojmë ndërtimin e dy unazave të tjera, përveç unazave ekzistuese.
- Bashkia po kërkon aplikimin e një zone të lirë ekonomike në Tiranë.
Arkitekti Stefano Boeri:
- Do të kemi një park të madh. Në park do të kemi një oaz natyror, kjo është një nga çështjet kryesore për qytetin, ku do jetë një oaz si unazë e katërt, do kemi një unazë të dytë e të tretë vetëm për këmbësorët që do alternohet me unazën e parë e të pestë që do jetë për automjetet.
- Një çështje tjetër është policentrizmi, për zonat rurale që do të konsolidohen, por edhe në shkallë të qytetit që do të ketë transformime të qendrave të reja.
- Do të ketë rregull për mënyrën e ndërtimit, volumit. Zonat që transformohen do të kenë rregulla të veçanta e strategji për të parë cilësinë. Do të ketë rregull për mënyrën e ndërtimit, volumit.
- Janë bërë dy vite raporte monitorimi që lejojnë zbatimin e hartës së planit të përgjithshëm rregullues.