Shoqatat e gazetarëve reaguan, sot, kundër ndërprerjes së transmetimit të drejtpërdrejtë nga Shkodra të ceremonisë së lumturimit të 38 martirëve nga ana e Televizionit Shqiptar.
Me anë të një njoftimi dërguar të gjitha mediave, ato i kërkojnë institucioneve të vendit të hetojnë dhe të marrin masat e duhura për drejtuesit e televizionit.
“Televizioni publik shqiptar, që si zakonisht në raste të tilla prodhon sinjalin për të lehtësuar konfuzionin që do krijohej nga prania e shumë kamerave të televizioneve të tjera, në mënyrë të njëanshme e me një akt banditesk e injorant, ndërpreu papritur sinjalin për televizionet që po e përcillnin ceremoninë për shikuesit e tyre” — shkruhet në njoftim.
Shoqatat e akuzuan TVSH-në se po e trajton këtë ceremoni si të ishte ceremoni sportive apo shfaqje artistike.
38 martirët fetarë shqiptarë, të vrarë gjatë regjimit komunist, u lumturuan sot në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër.
Ceremonia e lumturimit u kremtua nga kardinali Angelo Amato, Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve së Vatikanit.
Papa Françesku i njohu zyrtarisht si dëshmorë 38 meshtarët në prill të këtij viti.
Të pranishëm në ceremoni ishin përfaqësues të lartë të Vatikanit dhe të vendit.