“Ndërhyrjet” e Kryeministrit Rama në zgjedhjet e SHBA-ve

“Ndërhyrjet” e Kryeministrit Rama në zgjedhjet e SHBA-ve

Në Prill të 2016, Kryeministri Edi Rama dha një intervistë për emisionin “Quest means business”, në rrjetin televiziv amerikan CNN, ku foli për mundësinë e kandidimit të Donald Trump si kandidat i republikanëve për President.

“Amerika është një vend i ndritshëm mbi kodër. Propozimet, të cilat ne po i dëgjojmë […] nga Donald Trump janë me të vërtetë të frikshme dhe po minojnë atë çfarë Amerika është në sytë tanë,” u shpreh Zoti Rama.

Kur Richard Quest i kujtoi Kryeministrit Rama se qëndrimi i tij bie ndesh me protokollin diplomatik, i cili zakonisht, kërkon qëudhëheqësit e huaj” të “mos komentojnë për zgjedhjet në një vend tjetër”, Rama iu përgjigj:

“Unë nuk kam komentuar për zgjedhjet. Unë thjesht bëra diçka e pastaj kuptova që nuk ishte i vetmi dhe nuk ishte i pari, që i tha. Të tjerë udhëheqës në Europë kanë shprehur të njëjtat shqetësime sepse Amerika dhe Shtetet e Bashkuara është shumë më e madhe dhe shumë më e rëndësishme se sa për veten dhe në vetvete. Është në sytë tanë, udhëheqës botëror që ne e ndjekim si një shembull shumë, shumë frymëzues dhe ky shembull frymëzues.”

Richard Quest i tha Kryeministrit Rama se Trump mund të jetë vërtet kandidat i Republikanëve, duke dashur t’i thotë se qëndrimi i tij kundërshtues kundrejt Trump mund të ndërlikojë situatën.

“Zoti mos e dhëntë! Unë mendoj se do të dëmtojë shumë Amerikën, do të dëmtojë shumë botën demokratike. Sepse ai në fund do të duhet të bëjë të paktën disa nga gjërat që ai thotë se do të bëjë. Dhe atëherë, natyrisht do të jetë shumë, shumë e dëmshme” u përgjigji Kryeministri Rama.

Është e paqartë, tani që Donald Trump është Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve, si e parashikon Kryeministri Rama vazhdimin e marrëdhënieve dypalëshe me një nga aleatët më të mëdhenj të Shqipërisë.

Kryeministri Rama e uroi me anë të një mesazhi në Facebook presidentin e ri, pavarësisht qëndrimeve të mëparshme, por nuk dihet nëse ai vazhdon ta konsiderojë fitoren e Trump si dëm ndaj Amerikës dhe demokracisë në botë.

Kjo nuk është hera e parë që Kryeministri Rama e përfshin veten në zgjedhjet e SHBA-ve.

Gjatë fushatës për rikandidimin e Barack Obama si President i SHBA-ve, në 2012, e cila rastisi me fushatën e vetë Zotit Rama për zgjedhjet e përgjithshme, doli një fotografi e Zotit Rama me Presidentin Obama në një aktivitet për mbledhjen e fondeve.

Më vonë doli se Kryeministri Rama ishte përpjekur të hynte në një aktivitet të fushatës së Obamës në San Francisco, por ai ishte ndaluar në hyrje. Fotografia ishte bërë më vonë, jashtë takimit.

RAMA-OBAMA
Fotografia e Presidentit Obama dhe Zotit Rama në aktivitetin në San Francisco

Në fund të muajit qershor të këtij vitti, u zbulua se Bilal Shehu, një shofer limuzine në SHBA me prejardhje shqiptare, kishte paguar 80 mijë dollar për dy bileta, për veten dhe bashkëshorten, në këtë shfaqje. Por në vend të bashkëshortes ai ishte paraqitur me Zotin Rama. Dhënia e fondeve të huaja për një fushatë zgjedhore është e paligjshme. Zoti Bilali është paditur në gjykatën e New Jersey, i deklaruara fajtor për akuzën.

Vizita e Edi Ramës në SHBA

Edi Rama pritet të vizitojë SHBA-të të premten, në një vizitë private në Nju Jork, ku ai do të hapë një ekzpozitë arti personale në Galerinë Marian Goodman.

Disa media kanë njoftuar se Zoti Rama e ka anuluar vizitën në SHBA, por lajmi nuk është konfirmuar ende.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>