Shqipëria renditet mes tre vendeve të fundit në Evropë për mirëqenien ekonomike e shoqërore, në Indeksin e Prosperitetit 2016.
Indeksi i Prosperitetit hartohet nga Legatum Institute dhe rendit 149 vende tё botёs nё bazё një sërë parametrash që ndikojnë mirёqenien e një vendi, të tilla si faktorët ekonomikë, qeverisjen, shëndetin, arsimin, kapitalin social, mjedisin, sigurinë etj.
Shqipëria renditet në vend të 74-t në renditjen globale, ndërsa në Evropë lë pas vetëm Ukrainën dhe Moldavinë.
Treguesit më shqetësues të Shqipërisë janë ekonomia, kapitali social, mjedisi dhe arsimi.
Më poshtë po shpjegojmë shkurtimisht secilin prej faktorëve:
- Ekonomia – Shqipëria renditet në vend të 107-të nga 149-të vende në botë dhe e fundit në Evropë. Raporti thekson se niveli i papunësisë në vend është i lartë. Investimet e huaja mungojnë pasi infrastruktura është e dobët dhe korrupsioni është i lartë.
- Kapitali social – Shqipëria renditet në vend të 106-të nga 149-të vende në botë. Ky tregues merr në shqyrtim nismat qytetare, pjesëmarrjen e qytetarëve, pёrfshirjen e shoqёrisё nё punё vullnetare dhe bamirësi, ndihmёn ndaj tё panjohurёve, mbёshtetjen ndaj familjarёve, etj.
- Mjedisi- Shqipëria renditet në vend të 121-të nga 149-të vende në botë dhe e parafundit në Evropë, duke lënë pas vetëm Moldavinë. Ky është dhe treguesi më negativ i Shqipërisë. Raporti vëzhgon cilësinë e mjedisit, ajrit, dhe përpjekjet e qeverisë dhe shtetit për ruajtjen e mjedisit.
- Arsimi- Shqipëria renditet e fundit në Ballkan për cilësinë e arsimit dhe e 76-ta në renditjen globale. Krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit, Shqipëria ka shumë më pak shkolla profesionale dhe studentë të arsimuar në universitet. Aksesi në arsimin e lartë është i kufizuar, sidomos për pjesën rurale të popullsisë.
Treguesi më i vlerësuar i Shqipërisë është shëndetësia, ku vendi renditet i 49-ti në botë. Krahasuar me një vit më parë, në shëndetësi Shqipëria ka humbur 4 vende. Sektori i shëndetësisë vazhdon të jetë jo mirë i investuar. Në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit, vendi investon shumë më pak , vitet e fundit ka pasur një rritje të lartë të sëmundjeve të diabetit dhe obezitetit.
Shtetet me më shumë mirëqenie shoqërore e ekonomike në botë janë Zelanda e Re, Norvegjia e Finlanda.