Tërmeti i së enjtes pasdite ishte një nga rreth 2,000 pasgoditjet që janë shënuar që prej datës 26 nëntor.
Gazetarja Alma Demiraj, raportoi për Top-Channel, se lëkundjet që kishin si epiqendër rrethinat e Vorës ditën e djeshme ishin pjesë e pasgoditjeve të tërmetit me magnitudë 6.4 të shkallës richter që goditi Shqipërinë 4 javë më parë.
Prej 26 nëntorit sizmiologët kanë regjistruar rreth 2,000 pasgoditje, të cilat sipas tyre, vetëm 3 prej tyre kanë qenë rreth magnitudës 5 dhe të tjerat me lëkundje të vogla.
Kjo gjë sipas sizmiologut Edmond Dushi është e natyrshme pasi “tërmetet që i kalojnë shkallën 6 të magnitudës shoqërohen me një numër të lartë pasgoditjesh” dhe “relaksimi tektonik, pllakat tektonike çlirojnë energji të mbledhur dhe për këtë qytetarët nuk duhen të frikësohen.
Një tërmet i raportuar fillimisht i magnitudës 4.7 e më pas i korrigjuar në 4.3 tronditi kryeqytetin pasditen e së enjtes duke bërë që qindra qytetarë të dalin rrugëve.
Pas ditëve tragjike të 26-27 nëntorit ku 51 persona humbën jetën, qytetarët vazhdojnë të ndjejnë frikë nga tërmetet. Top-Channel thotë se sizmiologët shqiptarë po bashkëpunojnë me sizmiologë gjermanë për të studiuar zonën nga Karpeni i Kavajës deri në afërsi të Lezhës.
Studimet do të mund të tregojnë më qartë dinamikën e lëvizjeve dhe mund të ndihmojnë në përcaktimin e mënyrave të ndërtimit dhe zonave ku mund dhe ku nuk mund të ndërtohet.