Sapere Aude – Ndiq zërin e ndërgjegjes tënde

Nga Moza Boçari
Sapere Aude – Ndiq zërin e ndërgjegjes tënde

“Sapere aude” është shprehja me të cilën Kant i bëri thirrje qytetarëve të jenë të përgjegjshëm dhe të marrin jetën e tyre në dorë.

Të mendosh, të sqarosh, të formosh bindjet e tua, është diçka që fatkeqësisht e bëjnë shumë pak njerëz. Shumë nga ne ngelen fëmijë, për çka i takon pritshmërisë, deri në vdekje.

Fillimisht presim nga nëna të na ushqejë me gji, më pas nga prindi të na rrisë, nga mësuesi të na mësojë, më pas nëpunësi pret nga drejtori, populli pret nga qeveriu, dhe qeveriu nga kryeministri. Kjo është piramida mbi të cilën ne ngrejmë jetën, mbi të cilën janë organizuar shtetet dhe familjet.

Kjo formë e drejtimit të shtetit dhe shoqërisë përsa kohë funksionon mbi bazën e të drejtave të barabarta dhe respektimit të dinjitetit njerëzor nuk ka asgjë për tu sharë.

Problemi në kohët tona qendron se ky ekuilibër është prishur. Politika abuzon sot me shumë se kurrë me fjalën demokraci. Shtetet dhe format e qeverive kanë emra të ndryshëm, por në vetvehte janë e njëjta gjë: i pari vendos për çdo gjë që duhet të bëjnë ato poshtë tij.

Sepse, ata të cilët janë poshtë tij nuk kanë ose ndoshta ia kanë hequr vehtes të drejtën të mendojnë dhe veprojnë në mënyrë të pavarur. Prishja e ekuilibrit, është themeli ku lind anarkia dhe diktatura.

Për të ruajtur qytetarët nga pushteti i pakufizuar janë shkruar ligje dhe rregulla. Ligjet duhet të zbatohen nga të gjithë dhe të mbrohen nga shteti. Kur një gjë e tillë nuk ndodh atëherë shteti humbet së qënuri i tillë. Në vendin tonë ky ekuilibër është prishur. Jetojmë prej së paku 72 vitesh në diktaturë të cilën e zgjedhim vetë .

Në vitet 40 njerëzit ju bashkuam diktatorit Enver Hoxha në pjesën më të madhe si dele. Ose më keq akoma mbyllëm sytë dhe veshët dhe e bëmë vehten budallenj nga frika e pasojave që mund të kishim nëse do të hapnim gojën.

Kjo ndodh edhe sot vite më pas. Rezultatin e kemi para syve. Një komb i shkatërruar, i varfër, i emigruar, i drejtuar nga një klasë politike korruptuar, i cili shpresën e vetme e ka tek ndërkombëtarët.

Kant shkruan se “Ki guxim të bësh atë që të thotë logjika jote. Ki guxim të mendosh”.

Kjo do të thotë, të mos e lësh vehten të të bindin të tjerët, por të bësh atë që të thotë llogjika jote. Të çlirohesh nga varësia e mendimit të të tjerëve kërkon guxim. Edhe të notosh kundra rrymës, kundra asaj që bën shumica, kur njohuritë e tua janë të kundërta kërkon guxim.

Problemi qëndron tek zgjedhja: ti do të jetosh jetën tënde apo zgjedhën e të tjerëve. Çfarë ti kërkon nga jeta e zgjedh dhe administron vetë, por shtypjen e të tjerëve, atë po e pranove nuk e administron dot.

Fraza e përdorur nga Kant, “Sapere aude”, i fton njerëzit të dëgjojnë zërin e brendshëm dhe të mësojnë mbi vehten, në të kundërt, nuk do ta njohin kurrë atë.

Kant thotë së njerëzit duhet të fillojnë të mësojnë të përdorin trurin e tyre. Pra të mendojnë së çfarë bëjnë, në vend që ta dembelosin atë dhe të bëjnë çka i thonë të tjerët duke vënë kështu vehten nën kontrollin e tyre.

Nëse njerëzit do të thelloheshin në domethënien e mendimeve shabllone, shumë prej të cilave janë vjetëruar, nuk do të ndodhnin keqinterpretime, nuk do të zhvillonin paragjykime, por do të zhvillonin vehten e tyre.

Nëse njerëzit do të zhvillonin mendimin e tyre nuk do të zbatonin urdhrat në mënyrë të verbër dhe të bënin gabimet e jetës. Pra të mendosh, do të thotë, të sqarosh vehten se kush je, çfarë bën dhe për çfarë jeton? Kur ti gjesh këto, duhet të marrësh guxim të çlirosh vehten nga e huaja dhe nënshtrimit ndaj të tjerëve.

Në një një shkrim të bukur të Etienn de la Boite, të shekullit të XVI, thuhet se:

Njeriu që ju skllavëron dhe ju shtyp, ka vetëm dy sy, vetëm dy duart, vetëm një trup dhe asgjë tjetër përvec asaj që ka çdonjëri nga masa e njerëzve të panumërt te qyteteve tuaja, pra asgjë më shumë se ju. E vetmja përparësi që ai ka është dëshira e tij për t’ju shkatërruar ju. Ku i merr ai kaq shumë sy për tu kontrolluar ju, nëse ju nuk do t’ia jepni ato? Përse ka ai kaq shumë duar për t’ju goditur, nëse nuk i merr nga ju? Kaq shumë këmbë me të cilat ai shkel çdo gjë në qytetet tuaja, nëse ato nuk janë tuajat? Si mundet ai të ushtrojë shumë dhunë mbi ju nëse kjo nuk vjen nëpërmjet jush?

Dy, tre, katër njerëz mund të kenë frikë një person të vetëm. Por nëse njëqind apo njëmijë vuajnë nën tekat e dikujt, nuk flasim më për frikë apo mungesë guximi. Kjo nuk është dobësi, por turp dhe poshtërim.

Por, kur jo më qindra, por një milion njerëz nuk e shmangin dot një individ të vetëm, që i trajton si bujkrobër dhe skllevër, që u shkatërron jetët, i blen, i shet, i vjedh, i nxjerr në rrugë, si mund ta quajmë këtë? A është kjo frikë, turp, poshtërim, apo diçka më shumë?

Mendoj se një masë njerëzish për sa kohë nuk sheh dhe njeh të vërtetën është thjesht mëndjelehtë dhe budallaqe, por nëse e sheh dhe nuk reagon është pa dinjitet.

Si përfundim i referohem këtij proverbi:

Kush nuk ka mundësi të njohë vetvehten le të jëtojë me origjinalitetin e zemrës së tij. Kush e ka humbur origjinalitetin e zemrës, le të jetojë me dashurinë e saj. Kush nuk është më në gjëndje të jetojë me dashurinë e zemrës, të veprojë të paktën më drejtësi. Nëse dikush nuk mund ta bëjë edhe këtë, le ti përmbahet traditës dhe zakonit. Të jesh i varur nga vullneti dhe morali i një niveli më të ulët se i yti është shprehje e dekompozimit.

Ky është mendimi im dhe e shkruaj që të apeloj thjesht atë që thotë Kanti: “Sapere aude”: ndiq zërin e ndërgjegjes tënde.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>