Oligarkë + Edi Rama = Kuartet muzikor

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Oligarkë + Edi Rama = Kuartet muzikor

Tirana po vuan për drita

Ditët e fundit, Tirana ra është sërish viktimë e ndërprerjeve të energjisë elektrike për të cilat askush nuk mban përgjegjësi.

Javë më parë, Teatri Kombëtar u detyrua të shfaqë Don Kishotin në terr dhe në të ftohtë, sepse energjia elektrike u ndërpre për rreth 30 minuta. Teatri Kombëtar është i financuar tmerrësisht pak dhe nuk ka para për të blerë një gjenerator.

Ditë më vonë, ndeshja e futbollit Partizani-Tirana u ndërpre dhe u shty pasi Tirana ra në errësirë për disa orë, duke lënë qindra tifozë të nevrikosur në stadiumin Selman Stermasi.

Nuk është Filarmonia e Vjenës

Ditë më parë, qeveria njoftoi bujshëm se “një ëndërr po bëhet realitet”: koncerti i famshëm i Vjenës do të vijë në Tiranë për të shoqëruar violinistin kosovar Shkëlzen Doli.

Në një video të bërë publike shfaqet violinisti i vendosur pas imazhit madhështor të pallatit mbretëror Schönbrunn, ndërsa posterat e vendosura kudo nëpër Tiranë shfaqin violinistin mbi sfondin e Orkestrës Filarmonike të Vjenës.

Me një ndryshim: Shkëlzen Doli do të interpretojë me një kuartet privat të quajtur Ansambli Filarmonik i Vjenës dhe jo me Filarmoninë e Vjenës. Në këtë video kuarteti shfaqet duke luajtur në rrugët e Vjenës.

Është e vërtetë, emri është i njejtë – një lëvizje e zgjuar marketingu.

Sigurisht, kjo nuk do të thotë se Doli është më pak i talentuar si muzikant. Kjo tregon vetëm se edhe një herë tjetër qeveria ka stërzmadhuar arritjet e saj në art—një fushë të cilën në fakt ajo e ka lënë në mjerim, pa asnjë mbështetje.

Në të vërtetë, qeveria po jep tendera sa majtas–djathtas për ndërtimin e sallave të reja teatrore dhe ripërtëritjen e sallave të koncerteve, të projektuara të gjitha nga arkitektët “më të mirë” që ofron rrethi i ngushtë i Kryeministrit.

Për shembull, 8,9 milionë euro do të jepen për rindërtimin e Teatrit të Operas dhe Baletit, nga këto 6,4 milionë euro do të financohen nga buxheti i shtetit, duke përpirë më shumë se gjysmën e të gjithë buxhetit të vitit 2017 për kulturën.

Por punonjësit e kulturës—muzikantët, mësuesit, aktorët, interpretuesit–jetojnë nën nivelin e varfërisë dhe pyesin pse gjithë këto para shpenzohen për arkitektë ndërkombëtarë dhe jo për ata të cilët prodhojnë me të vërtetë kulturë.

AGE Art Production

Materialet propagandistike për koncertin e Vitit të Ri u prodhuan nga AGE Art Production. Deri para pak ditësh, kjo kompani ishte e panjohur për botën e kulturës shqiptare.

Por në mjedisin e politikës, ku gazetarët e lajmeve sensacionale mund të bëhen “kuratorë të përgjithshëm”, nuk do të ishte e çuditshme që një konglomerat kompanish hidrocentralesh të mund të bëhen Babagjyshi i Vitit të Ri të Edi Ramës.

AGE Group përbëhet nga disa projekte hidrocentralesh, të gjitha në pronësi të Albania General Electricity (AGE), 100 për qind në pronësi të biznesmenit Sadik Llapashtica, e cila menaxhon disa hidrocentrale të vogla në Shqipëri dhe Kosovë.

Asnjë nga aktivitetet e mëparshme të kompanisë AGE nuk ka as lidhjen më të vogël me art, dhe faqja e AGE Art Production është krijuar ditën e njoftimit për koncertin e Shkëlzen Dolit.

Sponsorat e tjera të shfaqjes janë Ministria e Kulturës; Bashkia Tiranë; Balfin Group—grupi i investimeve i drejtuar nga Samir Mane, i cili ka fituar një koncesione fitimprurëse në çdo fushë të imagjinueshme të ekonomisë; dy kompani të mëdha të sigurimeve të cilat fitojnë shumë nga skema e sigurimit të detyrueshëm, Sigma dhe Interalbanian; Albpetrol, për të cilin kushdo pyet se ku i gjetën paratë për të financuar shfaqjen e një violinisti; Llotaria Kombëtare, një monopol i fituar nga austriakët; Banka austriake Raiffeisen; Ambasada e Austrisë; dhe sigurisht kompania përgjegjëse për shkëputjet e vazhdueshme të energjisë elektrike OSHEE.

Është ironi e dhimbshme që qeveria shqiptare—në aleancë me kompanitë që janë rreziku më i madh për mjedisin shqiptar, të ndihmuara nga disa monopole të krijuara nga shteti, të cilat do të gllabërojnë paratë publike edhe për gjeneratën tjetër—ka qënë e aftë të prodhojë një kuartet për Vitin e Ri, rëndësinë e të cilit e ka ekzagjeruar në nivele epike me anë të propagandës.

Shqiptarët kanë një shprehje të bukur për situata të tilla qesharake “u mbars mali dhe polli një mi”.

Në vend që të financojë institucionet tona kulturore—teatro, muzeume, orkestra—qeveria edhe një herë i është drejtuar atyere që janë të gatshëm të lëpijnë prapanicën e saj dekadente, në pritje me padurim të tenderit ose koncesionit të rradhës.

Dhe falë këtyre “bamirësve” zemërgjërë të kulturës shqiptare, ne mund të dëgjojmë, një ditë pas Koncertit të Vjenës, një tjetër muzikant i cili u arratis nga varfëria shqiptare në kërkim të një jetë më të mirë.

Le të shpresojmë se në koncertin e tij qeveria do të jetë në gjendje të sigurojë mosndërprerjen e dritave.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>