Dje, Komisioni i Ligjeve anulloi garën për vendin vakant të avokatit të popullit. Procedura ishte zhvilluar sipas ligjit dhe anullim i saj ishte i pazakontë dhe i pajustifikuar. Anullimi u miratua vetëm me votat e deputetëve të Partisë Socialiste. Deputetët e LSI-së e kundërshtuan vendim ndërsa opozita nuk mori pjesë në punimet e komisionit.
Gjatë afatit të caktuar në nenin 9 të ligjit për Avokatin e Popullit të miratuar në vitin 2014 në faqen e Kuvendit u publikua njoftimi për paraqitjen e dokumentave. Nga gjashtë kandidaturat e paraqitura, dy prej tyre, Denar Veshaj dhe Jordan Daci u skualifikuan pasi i sollën dokumentat jashtë afatit. Një kandidat tjetër u tërhoq nga gara. Ndërsa Ardjan Licaj, Igli Totozani dhe Altin Goxhaj ishin tre kandidaturat përfundimtare për Avokat të Popullit.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e ligjeve, deputeti i PS-së Ulsi Manja u shpreh se njoftimi në faqen zyrtare të Kuvendit ishte i pamjaftueshëm, ndaj gara duhej të rihapej. Por, deputeti i LSI-së Petrit Vasili e kundërshtoi këtë pohim duke thënë se rihapja e procesit ishte shkelje e ligjit dhe diskriminonte kandidatët e paraqitur deri më tani.
Ndërsa, justifikimi i kryetarit të komisionit Fatmir Xhafaj për anullimin e procedurës ishte se komisioni s’ka bërë asnjë procedurë dhe është i vonuar.
Sikurse vihet re, arsyeja e përdorur nga deputetët socialistë është tërësisht e pabazë. Ajo i lë vend dyshimeve se avokati i ri i popullit do të zgjidhet sipas dëshirës së qeverisë dhe jo sipas procedurave të përcaktuara në ligj.