Më 3 janar, Estref Halili, 22 vjeç, u vetvar në burgun e Rrogozhinës. Ai u dërgua në spitalin e Rrogozhinës, por humbi jetën 15 minuta më pas.
Estref Halili ishte arrestuar më 22 dhjetor 2016 në Kolonjë, pasi në automjetin e tij u gjet një cigare kanabis dhe një thikë. Ai ishte ende në pritje të gjykimit, kur kreu vetëvarjen në tualetin e burgut.
Estref Halili ishte dënuar dhe më parë me 5 vite burg, për të njëjtën vepër: policia e kishte kapur së bashku me dy persona të tjerë me 3 gramë kanabis. Në shkurt 2016, ai u lirua nga burgu.
Babai i Estref Halilit, Ardian Halili thotë se policia duhet të arrestojë trafikantët e mëdhenj dhe jo adoleshentët për një cigare hashash. Ndërsa e ëma e tij u shpreh se:
Ma morën të gjallë, pse nuk ma sjellin të gjallë. Djali im nuk merrej me gjë, mezi e kam rritur, mezi sigurojmë thesin e miellit.
Ndërsa mediat evropiane shkruajnë çdo ditë për trafikun e lëndëve narkotike në Shqipëri duke e cilësuar vendin si “Kolumbinë e Evropës”, ministri Tahiri dhe Policia e Shtetit tregojnë me mburrje se si po e luftojnë drogën dhe krimin, se si po arrestojnë çdo ditë trafikantë droge.
Por mesa duket trafikantë, policia quan të rinjtë e varfër si në rastin e Estrefit, që kapen me 3 gramë kanabis për përdorim vetjak. Deri më tani të arrestuar për prodhim e trafikim në masë të kanabisit nuk ka. Dhjetra të kërkuar, mes tyre dhe Klement Balili, vazhdojnë të jenë të lirë.