22 vjet nga bombardimi i regjimit të Millosheviçit në Jugosllavi nga NATO

Nga Die Morina van Uijtregt
22 vjet nga bombardimi i regjimit të Millosheviçit në Jugosllavi nga NATO

24 marsi shënon fillimin e bombardimeve të NATO-s kundër regjimit të Sllobodan Millosheviçit, të cilat çuan në përfundimin e luftës në Kosovë, në 1999.

Pas refuzimit të Beogradit për të nënshkruar një marrëveshje me Prishtinën, të negociuar në Rambuje të Francës, i dërguari i atëhershëm i SHBA-ve, Richard Holbrooke njoftoi dështimin e bisedimeve të paqes më 23 mars 1999.

Më vonë, në të njëjtën ditë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Havier Solana njoftoi se ai kishte lejuar, Komandantin e Lartë të Aleatëve në Evropë, Gjeneralin Wesley Clark për “fillimin e operacioneve ajrore në Republikën Federale të Jugosllavisë”.

Ndërsa, NATO vazhdoi fushatën e saj bombarduese kundër bazave ushtarake serbe, ushtria e Millosheviçit ndërmori sulme mizore kundër civilëve shqiptarë.

Vlerësimet e pavarura nga Human Rights Watch tregojnë se 489–528 civilë u vranë nga bombardimet e NATO-s në Jugosllavi, 60% e të cilëve u vranë në Kosovë.

Presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton tha në atë kohë se misioni i NATO-s kishte për qëllim parandalimin e sulmeve të përgjakshme ndaj civilëve në Kosovë.

Gjatë 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s, forcat e Millosheviçit e intensifikuan luftën e tyre duke kryer masakra kundër civilëve shqiptarë dhe duke dëbuar rreth një milion njerëz jashtë vendit.

foto
foto

Masakrat kundër civilëve shqiptarë të kryera nga forcat serbe gjatë bombardimeve të NATO-s përfshijnë 105 të vrarë më 25 mars në fshatin Krushe e Madhe; 48 të vrarë në Suhareke më 26 Mars; 147 të vrarë në Izbica më 28 mars, 16 të vrarë në Podujevë më 28 mars, kryesisht gra dhe fëmijë; 372 të vrarë në Mejë më 27-28 prill; 41 të vrarë në Qyshk më 14 maj.

Një tjetër vrasje masive nga forcat serbe gjatë bombardimeve të NATO-s ndodhi në burgun e Dubravës në Kosovë. Ushtria serbe ishte vendosur pranë burgut, duke i shpëtuar shënjestrës nga NATO, e cila goditi burgun dy herë në 19 dhe 21 maj. Të burgosurit ishin kryesisht shqiptarë, dhe shumë prej tyre u sollën nga burgjet e tjera gjatë fushatës së bombardimeve.

Pas bombardimeve brenda burgut, rreth 1.000 prej tyre u dërguan në një fushë sportive dhe policia dhe rojet serbe hapën zjarr kundër tyre me mitraloza dhe granata. Mbi 100 të burgosur shqiptarë u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën. Ata që mbijetuan e kujtojnë atë si “një tmerr”.

Momenti kryesor kur aleatët perëndimorë konsideruan të ndërhyjnë ishte masakra e Reçakut më 15 janar 1999, në të cilën trupat serbe ekzekutuan 44 shqiptarë të paarmatosur në Kosovë.

Ajo u dëshmua nga shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili u bë zyrtari i parë ndërkombëtar që deklaroi se kishte “krime kundër njerëzimit” ndërsa vizitoi skenën e krimit në fshat.

Më 10 qershor, Millosheviçi ra dakord të tërhiqte forcat e tij nga Kosova dhe dy ditë më vonë paqeruajtësit e NATO-s (KFOR) hynë në Kosovë.

12 qershori shënon ditën e çlirimit të Kosovës. Pas kësaj, në vend u kthyen masivisht njerëzit e debuar. Shumica e tyre i gjetën banesat e djegura, të rrafshuara në tokë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>