Ndërsa vendi digjet nga një sërë zjarresh dhe mjetet e pakta e primitive që ka qeveria nuk arrijnë t’i kontrollojnë dhe shuajnë dot; ndërsa në ujrat e deteve dhe lumenjve shqiptarë, në mungesë të mbikqyrjes, mbytet pothuajse një njeri në ditë; ndërsa në spitalet e vendit paraqiten çdo ditë dhjetra të helmuar nga ushqimi; ndërsa të shtënat me armë dhe pritat ndjekin njëra tjetrën në shfaqjen tradicional të larjes së hesapeve mes emigrantëve; ndërsa në rrugët e Shqipërisë ndodhin çdo ditë dhjetëra aksidente, më në fund erdhi lajmi që të përmirëson humorin.
Bashkia e Tiranës, që sapo ka rritur me 44 për qind çmimin e ujit të pijshëm dhe që sapo ka miratuar procedurat e ndërtimit të shkollave me koncesion privat, ka filluar punimet për rikualifikimin e rrethrrotullimit të Zogut të Zi.
Mos u shpërqëndroni: “rikualifikimi i rrethrrotullimit” do të thotë saktësisht që punimet do të prekin vetëm platformën rrethore me diametër disa metra përreth të cilës rrjedh me vështirësi trafiku i thuajse të gjithë qytetit dhe që deri disa ditë më parë ishte një sistem shatërvanësh, ndoshta jo si ata të famshmit e Romës, por sidoqoftë të dobishëm për të kapur pak pluhur nga ai mal tym që rri pezull në ajrin e Tiranës.
Gjëja më ngazëlluese është që fotot rendera kompjuterike të ndertimit të ri, të botuara me shpejtësi nga kryebashkiaku, tregojnë se në fund brenda rrethrrotullimit do të ketë sërish shatërvanë, por të një forme të ndryshme, por kësaj herë në krah të shatërvanëve do të ketë rrugica këmbësorësh në të cilët do të vendosen stola. Pra, kryebashkiaku ka vendosur t’i “dhurojë” qytetit një lulishte të mrekullueshme për fëmijët dhe të moshuarit e zonës.
Në qendër të të tërës i lartë dhe hijerëndë do të qendrojë një obelisk, që nuk dihet nëse është dhuratë personale për Ramën nga ndonjë “rais” mediooriental, ose nëse do të jetë një derdhje betoni e thjeshtë dhe banale—njësoj si kryevepra e Velierës në Durrës. E sigurtë është që në mjediset e zakonshme të thashethemeve të Tiranës ka filluar të sugjerohet një lexim simbolik i ndërlikuar dhe evoluar të obeliskut: ai është një simbol fallik që përfaqëson fuqinë e ngritur të Tiranës nën efektin Rama-Veliaj, ndërkohë që ai i velierës ka një formë “pritëse”, pra femërore, që nënkupton nënshtrimin e Durrësit nga Tirana, pra ying dhe yang-un e Shqipërisë.
Një domethënie e madhe simbolike, pa dyshim, që mund të tërheqë zgjedhësit e Shishtavecit, kur të hyjnë në kryeqytet për parakalimin ushtarak të 4 korrikut, me rastin e ditëlindjes së Udhëheqësit Global.
Duke qënë se Zogu i Zi është pika më me shumë trafik në Shqipëri, me katër korsi paralele dhe katër rrugë hyrëse, ku trafiku rrjedh ngadalë por dendur për pjesën më të madhe të ditës, natyrshëm lind pyetja se sa kohë do të presin në trafik të moshuarit dhe fëmijët ndërsa kërkojnë të arrijnë rrethrrotullimin, me qëllimin e vetëm për t’u helmuar me vetëdije me tymin e motorëve të makinave, tymi më i dendur se në çdo vend tjetër të Shqipërisë dhe të Ballkanit.
Nëse të drejtosh do të thotë të bësh zgjedhje, me siguri ky i joni bën zgjedhje edhe atje ku nuk ka nevojë, dhe me sa duket qëllimi i vetëm është gjithmonë dhe vetëm ai i shkatërrimit të asaj që ka bërë paraardhësi duke i imponuar shoqërisë dhe vendit produktet të përshtjellimeve të tij të ngatërruara shpirtërore e mendore.
Duhet pak durim, se tani po bëjmë lulishte, ndërsa shtetin do e bëjmë pak më vonë.