Evolimi i krimit shqiptar në Itali

Nga Piero Innocenti
Evolimi i krimit shqiptar në Itali

16 vjet më parë shqetësimi i institucioneve tona të sigurisë për krimin shqiptar të pranishëm në territorin kombëtar ishin shpalosur në raportin e Drejtorisë Antimafia (DIA) i quajtur “rreziku shqiptar”. Në atë kohë flitej për banda kriminale, por edhe për “klane që kanë mishëruar karakterin mafioz” dhe vihej në dukje se ato kishin hedhur rrënjë në territore ende të pazaptuara nga krimi italian. Madje paralajmërohej mbi “… shenja që të shtyjnë të mendosh se shqiptarët po fillojnë të fitojnë hapësirë edhe në zonat e ‘kështjellë’ të krimit të organizuar italian”.

Në të njëjtën mënyrë, në kapitullin e veçantë për narkotrafikun në raportin e DIA-s, në seksionin e “gjetjeve përfundimtare”, flitej për një “… zhvillim drejt modeleve të përshtatshme mafioze të organizatave kriminale shqiptare të përkushtuara në trafikun e lëndëve narkotike…” me pasojë vështirësimin e aktivitetit të policisë.

Dobësimi i lidhjeve klanore e familjare, lidhje shumë të forta në Shqipëri, të cilat ishin tipar i celulave të para kriminale shqiptare që u vendosën në territorin e Puglias, si dhe rritja e volumit të “biznesit” të tyre ishin sinjali që lajmëronte se me kohën krimi shqiptar do të evolonte drejt strukturave të organizuara më të zhvilluara kriminale.

Analiza e atëhershme ishte qartësisht e vlefshme dhe sot krimi shqiptar tashmë “rezulton i konsoliduar” në rajone të ndryshme të Italisë, duke filluar pikërisht nga Puglia, territori që “përfaqëson edhe sot një pikë të detyruar për trafiqet e paligjshme me prejardhje nga Shqipëria dhe vendet ballkanike, në përgjithësi”.

Këto gjetje mbështeten edhe nga raporti i fundit i DIA-s i vitit 2016, i cili tregon se në burgjet italiane ishin të burgosur 280 shqiptarë për krime të tipit mafioz, vjedhje, trafik të lëndëve narkotike dhe kontrabandë , duke u renditur të dytët për nga numri pas rumunëve.

Përvoja në trafikun e lëndëve narkotike, në veçanti marijuanës dhe heroinës, i ka lejuar grupeve kriminale shqiptare rolin e furnizuesit kryesor në marrëdhëniet me krimin e organizuar italian. Por, në disa raste, grupet kriminale shqiptare kanë mundur të kryejnë edhe përpunimin e lëndëve narkotike—në rastin e hetuar në vitin 2016, u evidentuan nga policia tre laboratorë të përpunimit të lëndëve narkotike.

Operacioni i ditëve të fundit kundër lëndëve narkotike i kryer nga policia e Raguzës dhe Guardia di Finanza e Komos, hetimet për të cilin kanë filluar që në vitin 2012, solli sekuestrimin e një ton marijuanë dhe hetimin e 60 personave për trafik ndërkombëtar droge. Ndër ta, 37 persona ishin shqiptarë dhe kishin rolin e furnizuesve të drogës.

Sektori tjetër me interes për krimin shqiptar, gjithmonë sipas DIA-s, është shfrytëzimi i prostitucionit që ” vazhdon të veprojë sipas skemave të konsoliduara që kalojnë nga menaxhimi i pavarur i të tërë rrjetit deri në bashkëpunim ndërmjet grupeve të ndryshme ose subjekteve kriminale, në veçanti me ato me origjinë rumune.”

Shumë operacione të policisë kanë nxjerrë në pah prirjen për një menaxhim gjithmonë e më shumë të organizuar dhe “industrial” të dukurisë, e cila nis me rekrutimin e femrave direkt në Shqipëri — personat të cilët bëjnë rekrutimin janë shpesh të njëjtët që merren edhe me shfrytëzimin e tyre në Itali — dhe vazhdon me sigurimin e logjistikës për të vazhduar aktivitetin e grumbullimit dhe kontrollit të grave të nënshtruara në qytete të ndryshme dhe me ndërrimet e shpeshta të qyteteve.

Si zakonisht, shfrytëzuesit përdorin kërcënimin dhe dhunën për të shtypur ndonjë sjellje “të pabindur” të grave të skllavëruara, si shembull për gratë e tjera.

Ky është një kuadër i ndërlikaur dhe i zymtë i destinuar për t’u përkeqësuar më shumë si pasojë e “zhvillimit të strategjive kriminale të shqiptarëve drejt formave gjithmonë e më të ndërlikuara, të cilat ndihmohen edhe nga bashkëpunimi me kriminelët italianë…” . Kjo skemë e zhvillimit të krimit shqiptar shihet edhe në trafikun e armëve dhe lëndëve plasëse.

 

Botuar fillimisht në gazetën italiane Antimafiaduemila.com/ Botuar me leje dhe përkthyer nga Exit.al

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>