3 kushtet e Gjermanisë: reforma në drejtësi, reforma zgjedhore dhe ligji i medias

Nga Exit News
3 kushtet e Gjermanisë: reforma në drejtësi, reforma zgjedhore dhe ligji i medias

Zbatimi i reformës në drejtësi, reforma zgjedhore dhe ligji i medias janë tre prioritetet e vendosura nga Gjermania dhe Bashkimi Evropian për fillimin e bisedimeve me Shqipërinë, ka pohuar Susanne Schutz, drejtore për Ballkanin Perëndimor në Minsitrinë jashtme të Gjermanisë.

Në një intervistë botuar të hënën nga BIRN, Schutz e cila shërbeu si ambasadore gjermane në Tiranë në periudhën 2016-2019, ka folur për sfidën e madhe të reformës në drejtësi duke pranuar se ajo ka çuar në mosfunksionimin e gjyqësorit, por e ka quajtur këtë gjë si të pashmangshme.

“Është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, i cili përkohësisht ka sjellë mosfunksionimin e pjesshëm të gjyqësorit. Sidoqoftë, ne jemi të bindur që nuk ka asnjë alternative për këtë proces thelbësor. Pasi të përfundojë, shteti i së drejtës do të forcohet në Shqipëri në përfitim të popullit shqiptar”, pohoi Schultz.

Ajo bëri të ditur se Gjermania po ndjek bisedimet dhe miratimin e reformës zgjedhore si dhe ligjin e ri të medias të propozuar nga qeveria—ky i fundit i kritikuar nga Komisioni Evropian.

Ligji i ri i medias në Shqipëri nuk pasqyron ende standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Raporti i fundit i brendshëm i Komisionit Evropian me të drejtë e kritikoi projektligjin si të paplotë dhe si jo plotësisht të përputhshëm me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira në lidhje me lirinë e shtypit dhe mediave.  Përmirësimi i ligjit në këto aspekte do të ishte një hap inkurajues në rrugën e Shqipërisë drejt BE”, tha ajo.

Schultz tha se Kuvendi duhet të miratojë ligjin e ri të medias sipas udhëzimeve të Komisionit të Venecias:

“Ne e shohim opinionin e fundit nga Komisioni i Venecias si një udhëzues të përshtatshëm për punën në vazhdim të parlamentit shqiptar për të përmirësuar projektligjin, veçanërisht në lidhje me përcaktimin e fushës së tij, proporcionalitetin e gjobave dhe pavarësinë e organeve të AMA [Autoriteti i përgjegjës për monitorimin e ndryshimeve të planifikuara]”.

Liria e Medias dhe sistemi gjyqësor i pavarur janë kushtet kryesore për integrmin e vendit në BE, tha schultz duke kujtuar se:

“Procesi i pranimit ofron udhëzime: Kapitulli 23 për gjyqësorin dhe të drejtat themelore, i cili përfshin lirinë e mediave, është një shtyllë e rëndësishme e këtij procesi. Si një nga dy kapitujt themelorë, ai do të përcaktojë ritmin me të cilin vendet e Ballkanit Perëndimor do të ecin drejt BE-së”.

Ajo theksoi rëndësinë që ka lirian e medias për Gjermaninë, procesin e integrimit dhe demokracinë në tërësi:

“Liria e mediave është një temë shumë e rëndësishme për qeverinë gjermane në përgjithësi dhe natyrisht gjatë Presidencës sonë të Këshillit. Një media e lirë dhe e pavarur është shtylla kurrizore e çdo demokracie të gjallë. Kjo është arsyeja pse liria e shtypit dhe e mediave është gjithashtu shumë e rëndësishme në procesin e integrimit”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>