Rreth 35 shtete amerikane kanë paditur kompaninë Google për kryerje të veprimeve të paligjshme me qëllim ruajtjen e monopolit të reklamave në internet.
Kjo është padia e tretë ndaj Google-it në vetëm pak muaj me të njëjtat akuza dhe pretendime.
Padia, e paraqitur në gjykatën federale në Teksas, u përqëndrua në rolin e madh të Google-it në zinxhirin e komplikuar që lidh reklamuesit me botuesit që shesin hapësirë në internet. Google është përfituesi kryesor në çdo hallkë të këtij zinxhiri dhe shtetet pretendojnë se ai ka abuzuar me këtë monopol për të rritur biznesin e tij.
Shtetet gjithashtu akuzojnë Google-in për bashkëpunim me rrjetin social Facebook për të manipuluar tregun e reklamave në internet dhe për të kufizuar konkurrencën.
“Këto veprime dëmtojnë çdo person në Amerikë,” tha Prokurori i Përgjithshëm i Teksasit Ken Paxton, i cili drejton hetimin e shteteve. “Nëse tregu i lirë do të ishte një lojë bejsbolli, Google pozicionohej si lojtar në çdo pozicion dhe si arbitër”.
Nga ana tjetër Google tha, në një deklaratë, se pretendimet ishin “jo të vërteta” dhe se kompania do të mbrohej vetë në gjykatë. Ajo tha se çmimet për reklamat dixhitale dhe teknologjinë e reklamave kanë rënë gjatë dekadës së fundit dhe se Google kërkon më pak për mjetet e saj sesa mesatarja e industrisë.
“Këto janë shenja dalluese të një industrie shumë konkurruese”, tha kompania.