Rama: Nga “shqiptarët dembelë duan punë vetëm në shtet” në “hajde punoni në shtet”

Rama: Nga “shqiptarët dembelë duan punë vetëm në shtet” në “hajde punoni në shtet”

Kryeministri Rama e nisi qeverisjen e tij duke u tallur dhe duke përçmuar ata që kërkonin të punësoheshin në sektorin publik, por ka përfunduar duke shpërndarë punë në shtet, drejtpërdrejtë në televizion, në shkelje të ligjit dhe duke pranuar që po shkel ligjin. Kjo është metamorfoza e një Kryeminsitri të dështuar në krijimin e vendeve të punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Gjatë më shumë se pesë vjet në krye të qeverisë, Kryeministri Rama ka zhvilluar një propagandë të ethshme për të mbulaur apo zbehur problemin e thellë të papunësisë në vend, veçanërisht dështimin për të hapur 300 mijë vende pune, që ishin premtimi kryesor me të cilin ai erdhi në pushtet në vitin 2013. Kryeministri nuk e ka parë në asnjë moment papunësinë si problem të qeverisjes dhe politikave të tij ekonomike. Ai ka pretenduar, vazhdimisht, se në Shqipëri ka punë, por faji për papunësinë është i vetë shqiptarëve që nuk duan të punojnë.

Dy kanë qenë tezat kryesore që ai ka përdorur në publik: a) punë ka, por nuk ka specialistë, duke argumentuar se shqiptarët janë dembelë, të paaftë, parazitë që rrinë me orë të tëra në kafene dhe nuk kërkojnë punë; dhe b) shqiptarët kërkojnë punë vetëm në shtet dhe jo në sektorin privat se në shtet bëhet qejf.

Sidoqoftë, qeveria nuk ka kryer asnjë studim apo analizë në lidhje me papunësinë apo punësimin, dhe nuk ka asnjë statistikë që të vertetojë pohimet Kryeministrit për punësimin, të cilat kanë mbetur arbitrare.

Më poshte Exit.al po sjell disa nga pohimet publike të Kryeministrit të bërë në vite. Fillimisht, për Kryeministrin shqiptarët ishin dembelë:

3 nëntor 2015:

“Këtu puna konsiderohet një babagjysh i Vitit të Ri, që duhet të vijë në shtëpi, duhet të trokasi, duhet të vijë te krevati, duhet të thotë: zgjohu se erdha, hajde ikim bashkë tashti, të të tregoj se ku jam! Dhe ti t’i thuash: Ik ti përpara, se unë do zbres poshtë, do pi kafe edhe do shof në Facebook se çfarë ka bërë qeveria dje.”

7 dhjetor 2015:

“Burrat janë përgjithësisht dembelë dhe parazitë, kurse gratë janë përgjithësisht punëtore dhë të afta për të kompensuar parazitizmin e burrave të tyre.”

10 shkurt 2016:

“Vende pune ka, nevoja për punë ka, por nuk ka profesionistë e zanatçinj.”

28 prill 2016:

“Shqipëria ka punë, por kërkohen punonjës të kualifikuar. Problemi është mungesa e njerëzve të kualifikuar.”

Gradualisht, Kryeministri kaloi tek teza se shqiptarët kërkojnë të punojnë vetëm në shtet e jo në sektorin privat, ku sipas tij kishte vende të lira pune:

3 Nëntor 2015:

“Kemi një problem të madh në Shqipëri, një problem i krijuar mbi një traditë që nuk e ndihmon sistemin që kemi zgjedhur. Janë mbi 70% e të rinjve që thonë o në shtet o s’ka. Në oborrin e PS ka njerëz të cilët vijnë për të qarë hallet, ajo që është shumë shqetësuese për mua është që gjithmonë aty ka prindër që vijnë dhe kërkojnë punë për djalin 35-40  vjeç, apo për vajzën me dy kalamaj dhe as djali as vajza nuk marrin as mundimin që ta kërkojnë vetë punën, por çojnë babain, mamanë. Puna në shtet, shumë shpesh stresin më të madh ka, a e fiton apo jo ato lojën me letra dhe sa herë e fiton gjatë ditës. Dhe përkundër asaj që fiton në solitare merr rogën. Këta që kërkojnë punë në shtet duan një pension, që të bëjnë orarin e punës me solitare, thashetheme. Zyrat e punës sot që po flasim, janë 26 mijë e disa qindra vende pune të lira, të të gjitha kategorive. Ka vende pune për njerëz me arsim të lartë dhe për njerëz pa shkollë. Unë i kuptoj ata pa shkollë që duan të punojnë drejtorë. Por nuk i kuptoj ata që janë pa punë dhe kanë një diplomë që refuzojnë të shkojnë të punojnë në privat.”

23 Nëntor 2017:

“Nuk ekziston një shqiptar i vetëm që t’i bëjë naze punës më të rëndë jashtë.  Këtu, një në dy shqiptarë duan të punojnë, por në shtet, me orë të tëra të lira për t’u marrë me punën tjetër të rëndësishme që janë llafet.”

31 Mars 2018:

“Ajo që më shqetëson më shumë është fakti se dua të ma bësh gruan pastruese. Dakord që nesër në privat. Ah jo! Atëherë ku ndryshon fshesa e shtetit nga fshesa e privatit? Fshesën e privatit duhet ta tundësh. Fshesën e shtetit mund ta lësh në cep dhe të pish kafe.”

1 Maj 2018:

Në të gjitha ndërmarrjet e Shqipërisë ka vende punë, por duhet të kuptohet se puna nuk është vetëm punë shteti dhe puna nuk të vjen në shtëpi. Duhet të funksionojmë si një forcë e madhe lëvizëse që të shtyn drejt sektorit privat.

Tani ai ka ndryshuar tërësisht tezën e propagandës së tij. Nën presionin e protestës së studentëve që po përshkallëzohet me ngujim, akuzave të tyre për një treg pune me mundësi minimale dhe dëshirës për t’u larguar nga vendi, që prej dy ditësh, Kryeministri Rama ka garantuar punë për studentët në institucionet shtetërore, madje duke anashkaluar krejtësisht konkurset e hyrjes.

Të premten, gjatë paraqitjes së një platforme për punësimin e studentëve në administratën publike, Kryeministri u shpreh:

“Që të gjithëve, partnerëve, partisë e kujtdo që është mësuar me të vjetrën u them, nuk kemi ca të bëjmë, prioritetin e kanë këta që janë këtu dhe ky prioritet garantohet në mënyrë mekanike e transparente nuk ka nevojë për konkurs, atë e ka bërë jeta akademike me rezultatet e secilit. Ai që ka rezultatin më të lartë ka të drejtën i pari të zgjedhë. kjo është shumë e thjeshtë. Nuk ka më, si e ke emrin, i kujt je, kush është partia, kushëriri.”

Siç ka ndodhur dhe më parë, “mendimi” politik, shoqëror dhe parimet qeverisëse të kryeministrit Rama, ndryshojnë sipas nevojë së tij për të mbështetur pushtetin e tij.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>