
50 familje në Torovicë të Lezhës janë bllokuar prej 5 ditësh, pasi uji ka rrethuar fshatin e tyre.
Për shkak të reshjeve të shumta, niveli i ujit në rrugët e fshatit ka arritur në 50 centimetra.
Në shumë pjesë të tjera niveli i ujit është edhe më i lartë duke e bërë të pamundur lëvizjen, përveçse me mjete lundruese.
Banorët i bënë apel qeverisë për ndihmë, veçanërisht për ujë të pijshëm, ushqime e ilaçe.
Torovica njihet si një prej zonave më problematike sa i takon përmbytjeve, pasi ajo ndodhet pranë hidrovorit të Balldrenit, i cili kur ka reshje intensive shiu tejkalon nivelet e ujit që mund të përpunojë dhe hap digat.
Që prej vitit 2014, bashkia Lezhë ka hartuar plane për të ndërhyrë në bordin e kullimit të zonës, por duket se deri më tani ndërhyrjet nuk janë bërë pasi çdo vit Torovica përmbytet.