
500 policë të rinj do t’i shtohen forcave të policisë së shtetit.
Lajmin e bëri të ditur Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj gjatë një takimi në Sarandë me kryebashkiakët dhe drejtuesit e policisë të bashkive Sarandë, Delvinë, Himarë, Finiq e Konispol dhe drejtuesit e policisë.
“Kemi një polici të vogël ndër më të voglat në rajon. Kryeministri ka dhënë miratimin për shtimin e 500 punonjësve të rinj të policisë për të shtuar kapacitetet dhe për të rikonceptuar kapacitet e policisë”, u shpreh ministri.
Ai po ashtu tha se qeveria po punon për një ligj të ri për shtimin e kompetencave të policisë bashkiake:
“Do të ketë një ligj të ri për policinë bashkiake për rritjen e nivelit për t’i shndërruar në një zgjatim të policisë së shtetit në nivelin lokal.”
Lleshaj porositi drejtuesit e policisë që gjatë sezonit turistik të mos lejojnë cenimin e plazhit publik nga ndërtimet pa leje.