“Sfida më e madhe që kam kapërcyer në karrierën time profesionale ishte vetja ime.
Kam kuptuar se ndonjëherë je armikja më e keqe e vetes tënde dhe kjo ishte një betejë që e kam luftuar gjatë, por tani mund të them që e kam fituar”.
Këtë pohim gazetarja e njohur Sonila Meco e bëri në një bisedë me gazetaren Alice Taylor, ku foli për veten dhe sfidat e saj si nënë, si grua dhe si gazetare politike në vend:
“Kam lindur në Tiranë dhe shkollën e mesme e kam bërë tek gjimnazi Ismail Qemali, ku kalova katër vite të mrekullueshme, e rrethuar nga nxënës shumë të mirë, të cilët më pas u bënë të suksesshëm në fushat e tyre. Ajo kohë më ka influencuar shumë, më zgjeroi horizontin dhe më dha miqësi që më kanë ndihmuar të jem kjo që jam sot.
Pas shkollës së mesme, duhet të shkoja në Turqi për të studiuar marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Amerikan, por sa më tepër afrohej dita për tu nisur, aq më shumë e kuptoja që nuk doja të shkoja.
Kalova disa momente të vështira, u ndjeva vetëm dhe në ankth dhe kuptova që nuk mund t’i lija pas prindërit dhe shoqërinë. Në moment të fundit ndërrova mendje dhe vendosa të rri në Shqipëri.
Kisha vetëm 4 ditë kohë përpara se të jepja provimet hyrëse për në Universitetin e Tiranës, ndaj vendimin për degën që doja të ndiqja duhet ta merrja shpejtë. Nuk dija se çfarë doja, ndaj mora katër copa letrash dhe shkrova tek secila nga një alternativë: Turqi, Financë, Ekonomiks dhe Biznes. Në të gjitha zgjedhjet, si të miat, ashtu dhe të mamit, dilte Financa.
Unë nuk isha aspak e dashuruar me degën dhe nuk kisha qëllim ta kaloja jetën mbyllur në një zyrë apo bankë, kështu që vendosa që rruga që do të marr do të ishte ajo për t’u bërë pedagoge. Në atë kohë, studentët më të mirë në fund të vitit të katërt bëheshin automatikisht pedagogë, dhe pa dyshim, unë u diplomova si një ndër më të mirët në vitin tim dhe në moshën 21 vjeçare, fillova të jap mësime. Unë jepja katër lëndë, ndonjëherë për studentë më të vjetër se unë – isha e re, e realizuar, me një rreth të madh miqsh dhe isha e lumtur.
Më pas një natë, gjatë vitit të dytë të mësimdhënies, isha me një mikeshë në një restorant. Nga përtej sallës, një regjisor shumë i njohur na ofroi një pije, u fut në bisedë dhe më pyeti nëse kisha menduar ndonjëherë të punoja në televizion. Isha 22 vjeçe – shumë e re, por e realizuar profesionalisht. Po shijoja jetën dhe, duke e konsideruar vetëm si aventurën e radhës, thashë po. Shkova në audicione, më pëlqyen dhe disa muaj më vonë më kërkuan që të drejtoja mbulimin e Kupës së Botës në vitin 2000.
Dija pak për futbollin por arma ime e fshehtë për këtë punë ishte kujtesa ime e fortë. Kam studiuar çdo ndeshje nga viti 1968 e tutje – rezultate, emra lojtarësh. Pastaj, kur dola në emision, përmendja fakte dhe detaje sikur të isha eksperte për këtë çështje. Njerëzit u mahnitën dhe ky ishte zbulimi im në televizion. Më pas më thanë të zgjedh – nëse doja të prezantoja shfaqje televizive, apo lajme dhe unë zgjodha lajmet.
Jam shumë kurioze si person dhe e konsideroj veten shumë të zellshme. Në çdo përpjekje që ndërmarr, vazhdimisht përpiqem të shkoj përtej asaj që kërkohet, të zbuloj më shumë dhe të arrij në thelbin e gjësë.
Dua të jem më e mira – jo në kuptimin e të qenit më e mirë se të gjithë të tjerat, por në punën time si gazetare. Dua të jem më e miri duke hulumtuar, studiuar dhe përthithur informacionin dhe duke e përdorur atë për t’u bërë specialist i asaj që jam duke bërë. Edhe për gjënë më të vogël, studioj shumë për t’u siguruar që kam historinë e plotë, kam kuptuar rrethanat dhe kam marrë pamjen e plotë të çdo teme.
Kur them diçka që dua të jem e saktë, dua të jem referencë dhe dua që njerëzit të më dëgjojnë dhe ta dinë që unë po them të vërtetën.
Besoj se çdo gazetar duhet të ketë një arsim bazë në një fushë si ligji, drejtësia, ekonomia ose historia. Kur jeni gazetar, bëheni ekspert në shumë gjëra. Kur kam studiuar ekonomi, mbase nuk ka qenë pasioni im, por më ka dhënë aftësitë që më duhen për të qenë një gazetare e mirë.
Sfida më e madhe që kam kapërcyer në karrierën time profesionale ishte vetja ime. Kam kuptuar se ndonjëherë je armikja më e keqe e vetes tënde dhe kjo ishte një betejë që e kam luftuar gjatë, por tani mund të them që e kam fituar.
Kam shpenzuar shumë kohë dhe energji duke u shqetësuar se çfarë mendonin të tjerët për mua, kritikat që kishin për mua dhe nuk arrija ta ndaja kritikën konstruktive nga ajo toksike.
Kam pasur probleme me ankthin herë pas herë dhe kjo pati impakt të madh tek unë, si mendërisht ashtu dhe fizikisht, por ju duhet të mësoni t’i injoroni ata që ju bëjnë të ndjeheni kështu – duke mos i marrë parasysh fjalët e tyre, ju i hiqni atyre fuqinë e tyre.
Beteja e dytë e madhe me të cilën unë u përballa ishte ajo e të qenit gazetare gjatë një kohe trazirash. Fillova gazetarinë në kohën kur media shqiptare po themelohej dhe kjo ishte një sfidë e madhe. Ishte një kohë, dhe ende është një kohë e politikës së vështirë dhe ka probleme me pronarët e mediave – duhet të mbetesh profesionist, të jesh njerëzor dhe të jesh njeri i mirë.
Sfida e tretë me të cilën jam përballur është ajo e politikës. Të punosh si moderatore në stacionet më të mëdha të lajmeve në vend do të thotë që kam qenë në vijën e parë në betejën midis politikës, televizionit dhe pronarëve të mediave. Është një betejë e vazhdueshme parimesh dhe si gazetare, unë duhet të jem mbikëqyrësja.
Në Shqipëri, politika dhe gazetarët kanë një marrëdhënie shumë toksike dhe ndonjëherë ti e gjen veten të përdorur dhe të abuzuar, ndaj duhet të jesh e vetëdijshme për profesionalizmin në çdo kohë.
Ka raste që kam pasur frikë të bëj punën time, por kjo vetëm sepse unë nuk jam vetëm. Kam frikë për prindërit, burrin tim dhe vajzën time të vogël pasi mund të shohin komente dhe gjëra të shëmtuara që janë shkruar kundër meje dhe të ndihen keq.
Gjatë punës, kam parë shumë dhe gjëja më e keqe që mund të ndodhë, mua më ka ndodhur tashmë – kur mbyllën Agon TV, më morën punën, na ndaluan në kufi dhe publikuan gënjeshtra për ne, madje më morën dhe makinën time.
Nuk ta merrte mendja që diçka e tillë mund të ndodhte në një media në një shtet të Europës, por ja që ndodhi. Mësova shumë si rezultat i kësaj situate dhe pashë fytyrat e vërteta të shumë njerëzve. Më në fund kuptova se sa e fortë isha sepse frika që kisha, kthehej në forcë.
Të jesh femër është një sfidë. Në Shqipëri, me trishtim duhet të them se shoqëria është shumë e dëshpëruar dhe shumë e shqetësuar. Shoqëria jonë po vuan. Më duhet të pranoj që kam pasur shumë fat dhe nuk mund t’i krahasoj përvojat e mia me një grua që jeton në zonat më rurale.
Ndërsa betejat e mia kanë qenë të vështira për mua, unë kam pasur mbështetje, por kur shikon përreth, vëren se nuk ka qenë njësoj për shumë njerëz. Këto probleme nuk janë vetëm me gratë, ato janë me shoqërinë në tërësi.
Si mund ta luftojmë këtë? Duhet të udhëheqim me shembuj. Gratë duhet të flasin, të tregojnë historitë e tyre të suksesit, gra nga të gjitha rrethanat – duhet të promovojmë gratë që kanë diçka për të thënë sepse në këtë shoqëri të trishtë, duhet të kemi shembuj tek të cilët të drejtojmë shikimin.
Dua të udhëheq me shembull. I kam shpjeguar vajzës time se ajo është më e rëndësishmja në jetën time, por që ne të jetojmë, duhet të punoj. Ajo e kupton që unë do të jem një nënë më e mirë duke punuar dhe ajo e kupton pse punoj me orë të gjata. Sigurisht, ajo ka shoqe, nënat e të cilave nuk punojnë dhe unë e kam sqaruar që dhe kjo është e mirë, sepse kjo është zgjidhja më e mirë për familjet e tyre. Koha që kalojmë së bashku është më e çmuara dhe është kohë cilësore – koha që unë jam në më të mirën time.
Çdo ditë mësoj diçka të re – ajo më mëson si të jem një nënë e mirë dhe e përulur. Mendoj shumë për atë që do të mendojë ajo kur të jetë 25 vjeç dhe nëse ajo do të jetë krenare për mua apo jo. Unë duhet të jem nëna për të cilën Amaris do të ishte krenare.”
Kush është Sonila Meço:
Sonila është gazetare, moderatore, ekonomiste dhe pedagoge.
Ajo ka studiuar Financë në Universitetin e Tiranës dhe më pas ka dhënë mësim në Departamentin e Financës dhe Kontabilitetit në Fakultetin e Ekonomisë.
Meço ka bërë trajnime në mediat më të njohura botërore si CNN, BBC, dhe një sërë institucionesh mediatike në të gjithë Evropën. Si dhe ka punuar si gazetare dhe moderatore në TV Klan, Vision Plus, ABCNews, dhe në televizionin që u mbyll nga qeveria shqiptare, Agon Channel.
Ajo ka shkruar qindra artikuj dhe është autore e prezantuese e disa prej programeve më të njohura të çështjeve aktuale të vendit, ka punuar si konsulente në media dhe ka fituar çmime për punën e saj.
Sonila është gjithashtu aktive në çështjet e shoqërisë civile, veçanërisht në lidhje me politikën, median dhe reformat. Është e martuar, ka një vajzë, Amaris, dhe jeton në Tiranë.
Projekti i saj i fundit është Tempora, një emision i përjavshëm me fokus në çështjet aktuale, në veçanti politikën, ekonominë, çështjet sociale dhe kulturën.
Kjo është intervista e shtatë e një serie me 52 intervista.
Intervista u botua më parë këtu.
Përkthyer nga Exit News.