Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) publikoi dje një raport vlerësues për transparencën fiskale të qeverisë shqiptare.
Konkluzionet kryesore të raportit janë:
- Shqipëria nuk ka përmbushur 8 nga 36 kriteret e FMN-së për transparencën fiskale. 14 kritere të tjera janë realizuar në nivelin minimal. Vetëm 10 kritere janë përmbushur në nivel të mirë apo të avancuar.
- Qeveria ofron pak informacion për investimet publiko-private dhe konçensionet që jep.
- Qeveria ofron pak informacion në lidhje me prodhimin e përgjithshëm të vendit.
- Problem i rëndësishëm mbetet kompensimi i pronave të shpronësuara nga regjimi komunist, vlera e të cilave arrin në rreth 70 për qind të prodhimit vjetor të vendit.
- Problem tjetër serioz vazhdon të jetë përqindja e lartë e kredive me probleme, të cilat përbëjnë rreth 23 për qind të totalit të huave të dhëna nga sektori bankar.
FMN ka bërë një sërë rekomandimesh për qeverinë, ndër të tjera:
- Të përmirësojë transparencën e projekteve të investimeve publike, duke bërë analiza kosto-përfitimi dhe duke publikuar vlerën e përgjithshme të të gjithë projekteve, përfshi partneritetet publiko-private;
- Të mbikqyrë më mirë kompanitë publike dhe rreziqet fiskale që ata mund të sjellin;
- Të hartojë dhe publikojë një raport vjetor për të ardhurat e munguara në buxhetin e shtetit si pasojë e privilegjeve dhe përjashtimeve tatimore.