Këta “bij kurvash” që na qeverisin!

Nga Ermal Mulosmani
Këta “bij kurvash” që na qeverisin!

Si fillim më duhet të sqaroj që termi “bir kurve” nuk përbën aspak një sharje vulgare. E ka përdorur i pari Kryeministri kur donte të shfajësohej nga akuzat e hajnisë duke thënë “ nuk ka bir nëne apo bir kurve…”. Pas tij dhe nën shembullin e tij, vazhdoi edhe i akuzuari për narkotrafik, Saimir Tahiri.

Por, në fakt, rrënjët e përmbajtjes së këtij togfjalëshi i gjejmë në bisedat e përditshme qysh në adoleshencë të hershme. “Bir kurve” konsiderohej ai që ishte i shkathët, “bythë e zgjuar”, finok, dilte palagur dhe përfitonte nga situatat.

Me kalimin e kohës, fjalës “bir kurve” erdhi duke iu korrigjuar kuptimi. Në kohët moderne me “bir kurve” filluan të quheshin edhe hajdutët e parave të shtetit, mashtruesit, trafikantët, gënjeshtarët, arrivistët, servilët, dallkaukët.

Ishte një evoluim përmbajtësor. Ky ishte kuptimi i dytë i “birit të kurvës”.

Më 09 Janar 2004 ndodhi një katastrofë në det të hapur. 28 shqiptarë u mbytën në një furtunë detare dhe në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv dëgjoheshin zërat e tmerrit! Ishte një nga ngjarjet më të tmerrshme dhe të paharrueshme që kam përjetuar ndonjëherë…. Kryeministër i Shqipërisë në atë kohë ishte Fatos Nano dhe ditën e ngjarjes nuk ndodhej në Shqipëri por në Greqi. E gjithë Shqipëria ishte e tronditur. Por Kryeministri nuk u kthye atë ditë në atdhe. Ndenji edhe një natë tjetër në Greqi për turpin e vet. Ajo që më ka bërë përshtypje ishte interpretimi i mosardhjes nga qytetarët. Dikush tha : “Biri i kurvës, thonë që e kanë parë duke luajtur në kazino”!

Ishte një pasurim i termit “bir kurve”. Aty tashmë përfshihej edhe “arroganti i papërgjegjshëm” dhe “vanitozi i pashpirt”.

Ky është edhe kuptimi i tretë i kësaj fjale.

Të gjitha këto cilësi, të epitetit “bir kurve” mund t’i gjejmë në tre ngjarjet kryesore të ditëve të fundit. Po e filloj me Saimir Tahirin dhe dënimin e tij.

Ngjarja e parë:

Saimir Tahiri është Ministri i Brendshëm më i suksesshëm që na është shitur për 4 vjet. Befas, një ditë, morëm vesh që ky Ministër ua ka shitur makinën e vet personale disa trafikantëve të mirënjohur të narkotikëve që ishin edhe kushërinj të tij. Zoti Tahiri, atëherë, ishte subjekt i Përmbarimit për një gjyq të humbur me bijtë e zotit Berisha. E, për të mos ua paguar paratë që e kishte dënuar Gjykata, “bytha e zgjuar”, “biri i kurvës” Ministër i Brendshëm u merr paratë kushërinjve, u jep makinën dhe një “autorizim për përdorim”. Fiks çfarë atyre u duhej për trafikun e narkotikëve. Transporti vendor i drogës bëhej kollaj me makinën e Ministrit dhe autorizimin përkatës. Cili polic do të ndalonte një shofer që kishte autorizim direkt nga Ministri i Brendshëm?! Pra, Habilajt ishin pak më “bij kurvash” se Ministri.

Vetëm për këtë, sikur asgjë të mos kishte bërë më tepër Saimir Tahiri duhej shkarkuar dhe futur në burg! Për ndihmë të hapur në trafikun e narkotikëve dhe shmangie e taksave dhe detyrimeve gjyqësore. Po të kujtoheni, ato kohë, ai thoshte “Unë nuk isha budalla të m’i konfiskonte Përmbarimi paratë”! Jo, ai nuk ishte budalla, ishte “bir kurve” sipas kuptimit të parë të kësaj fjale.

Ndërkohë që po shkruaj, Tahiri ka dalë në televizor e po bërtet duke shitur moral.

Ngjarja e dytë

Dje gjithë Tirana nuk kishte ujë. Ka kohë që zona të tëra të saj presin radhën nëpër autobote uji si në shkretëtirat afrikane. Por dje kishte marrë një dimension tjetër. Nëpër kafene nuk kishte ujë, nuk shërbeheshin as kafe. Pak më vonë filluan të populloheshin WC-të e kafeneve. Të moshuar vinin vërdallë në pritje të gjetjes së momentit kur kamarieri apo banakieri nuk e kishin mendjen dhe “fap”, me vrap e në WC! Dilnin pas pak me fytyra të relaksuara! Letrat mbaruan, një erë e pakëndshme po përhapej po kush po pyeste, radhët shtoheshin.

Pas pak, dikush lajmëroi kamarierin se po spekulohej me përdorimin e WC-ve të lokaleve. Fillimisht u vendos një roje që nuk lejonte veç klientët. Por më vonë situata doli jashtë kontrollit, banjat u mbyllën me çelës! Ishte një situatë për të qeshur e për të qarë. Gjithë Tirana priste ujin, pisllëku po na mbyste…

Shkova në FB e Uriah Heep-it për të parë mos ka ndonjë lajmërim se kur vjen uji. Gjeta një postim ku i lajmëronte fëmijët “Bukën me vete dhe 10-a në mësime, siç kemi rënë dakort”!

“Biri i kurvës”! Në kuptimin e tretë, atë të “arrogantit të papërgjegjshëm dhe vanitozit të pashpirt” .

Ngjarja e tretë:

Ngjarja e tretë është dorëheqja e paralajmëruar e Drejtoreshës së Rrugëve. Si fillim duhet të cek që Drejtoria e rrugëve është Thesari më i madh i Parave, Arka ku sulen të tërë, funksionarë shtetërorë e kompani zbatimi. Funksionarët kënaqin orekset e Kompanive që të kënaqin xhepin e tyre. Kompanitë kënaqin xhepin e funksionarëve që të kënaqin oreksin e tyre.

Asnjë gjë nuk tepron për shtetin!

Një rrugë preventivohet nga inxhinierë-teknicienë. Në bazë të volumit të punimeve me rezerva të mëdha. Pra, nëse fjala vjen rruga llogaritet se bëhet nga 40 milion Euro, këta e fusin në tender me fond limit 60 milion Euro. Me idenë se do e zbresë tenderi, pra konkurenca, çmimin! Por “ndal beg se ka hendek” thotë ajo fjala. Kush t’a zbresë? Atyre 20 milionëve janë vërsulur të gjithë “birat e kurvave që na qeverisin”!

Prisni burra se ka për të tërë. Fondi limit do merret i tëri!

Nëse zbritet fondi limit brengosen të gjithë, janë paratë e pamarra nga çakejtë “bira kurvash” që na qeverisin! Kur e pyet Drejtorin “Pse nuk është zbritur tenderi fare nga fondi limit” ai të përgjigjet “Kështu ka bërë edhe PD-ja”!

Prokuroria e dëgjon sigurisht, e tha në televizion. Por edhe aty ka “bira kurve” sa të duash. Dinë edhe ata se si ta rjepin.

Ngjarja e tretë ishte  tenderi 20 milion Eurosh Kardhiq-Delvinë. Aty u zunë klientët zbatues me shtetin tenderues. Kompania “Gjoka”  u zu me Drejtoreshën e rrugëve. Ajo i thoshte “mashtrues” e kompania e akuzonte për “hajdute” që e kishte shmangur nga tenderi për t’ia dhënë firmës tjetër kliente të Qeverisë. Debati u bë publik, doli në media. Atëherë u bë një zgjidhje tjetër, u anulua tenderi! Paratë do të çohen diku tjetër ku të vidhen pa bujë, këtu na doli boja. Drejtoresha dha dorëheqjen sepse ajo është më e parëndësishme sesa Klienti.

Klienti është xhepi ku futet dora e “bijve të kurvave” që na qeverisin. Bijve të kurvave” sipas kuptimit të dytë pra hajdutit dhe mashtruesit.

 

Botuar më parë në Gazetën Express

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>