Kompania britanike Crown Agents, e cila ka ofruar për dy vjet konsulencë dhe mbështetje për doganat shqiptare me qëllim luftën ndaj korrupsionit dhe evazionit fiskal, ka hartuar një raport me gjetjet, analizat dhe mendimet e saj për gjendjen në sistemin doganar të vendit.
Shqetësimet kryesore të raportit, drejtuesit e kompanisë i kanë përmbledhur në një letër drejtuar Kryeministrit Rama, në të cilën ata kanë shprehur kritika dhe akuza të drejtpërdrejta.
Konkluzionet dhe kritikat kryesore që Crown Agents i ka bërë të ditura Kryeministrit Rama janë:
- Kontrabanda dhe korrupsioni në dogana është shkaku kryesor në rënien e të ardhurave në buxhetin e shtetit;
- Në doganën shqiptare ka korrupsion të organizuar e sistematik;
- Drejtorë e punonjës të të gjitha niveleve të administratës doganore nuk kanë bashkëpunuar me Crown Agents, disa nga paaftësia, ndërsa të tjerë, në mënyrë të qëllimshme për të penguar punën e Crown Agents kundër korrupsionit dhe evazionit;
- Vendimi i qeverisë për të rritur disa taksa, përfshi rritjen e akcizës së duhanit, ka çuar në rritjen e evazionit fiskal.