Shqipëria nuk firmosi deklaratën e përbashkët të koalicionit në mbrojtje të gazetarëve dhe lirisë së mediave të udhëhequr nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë.
Koalicioni për Lirinë e Medias, me 32 vende anëtare u shpall gjatë konferencës botërore për Lirinë e Medias të mbajtur në Korrik në Londër. Pavarësisht se Shqipëria dërgoi një delegacion qeveritar në Konferencë, ajo nuk e firmosi deklaratën.
Secila nga 32 vendet anëtare u zotua për “marrjen e veprimeve për të përmirësuar lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve brenda dhe jashtë vednit.”
Deklarata u firmos nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Maqedonia e veriut, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Greqia dhe SHBA-të.
Flutura Kusari, këshilltarja ligjore e Qendrës Evropian për Shtyp dhe Lirinë e Medias e theksoi këtë dështim të qeverisë në një postim në Twitter.
At the Global Conference for Media Freedom, representatives of 32 governments around the world signed a pledge to work together to protect media freedom. #Albania, #Malta and #Slovakia have not signed it. #media https://t.co/u8GS6JdYbQ
— Flutura Kusari (@fluturakusari) October 22, 2019
Exit.al iu drejtuai Endri Fugës, Drejtorit të Komunikimit të Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Rama pse Shqipëria nuk firmosi dhe nëse kanë në plan të firmosin këtë deklaratë në të ardhmen. Por deri në momentin e shkrimit të këtij artikulli nuk morëm përgjigje.
Vendet e tjera, përveç Shqipërisë, të cilat nuk e firmosën deklaratën ishin Sllovakia dhe Malta — të dyja vende që po hetojnë vrasjen e dy gazetarëve gjatë dy viteve të fundit. Të dy gazetarët ishin duke hetuar lidhjet korruptive të qeverive përkatëse.
Sipas qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, viti 2018 ishte një ndër vitet më të këqija për lirinë e medias. Në të gjithë botën, të paktën 99 gazetarë dhe punonjës të medias u vranë, 350 u burgosën dhe 60 gazetarë u kapën peng.