Ministri i Mbrojtjes i Turqisë thotë se të paktën 62 fluturime evakuimi janë bërë nga aeroporti ndërkombëtar i Kabulit në dy ditët e fundit, pasi siguria u rivendos në aeroport.
Hulusi Akar i tha agjencisë shtetërore Anadolu të mërkurën se trupat turke dhe ushtarë të tjerë të NATO-s ishin përfshirë në përpjekjen për të rivendosur rendin. Avionët e forcave ajrore turke ndërkohë po evakuonin qytetarët turq nga Afganistani, tha ai.
Akar gjithashtu tha se Turqia ishte e angazhuar në bisedime me Shtetet e Bashkuara, aleatët e tjerë të NATO -s si dhe kombe të tjera mbi propozimin e Ankarasë që trupat turke të vazhdonin mbrojtjen dhe operimin e fushës ajrore në Kabul.
Një aeroplan ushtarak mallrash i dërguar nga Spanja në Kabul është larguar nga aeroporti, por ministria e mbrojtjes e Spanjës ende nuk po jep detaje se sa njerëz janë në bord apo cilët janë.
Ministria holandeze e mbrojtjes thotë se një aeroplan transporti ushtarak C-17 ka fluturuar nga Kabuli duke transportuar rreth 35 persona me pasaporta holandeze, belge, gjermane dhe britanike dhe po drejtohet për në Tbilisi në Gjeorgji.