Italia raportoi të premten 627 viktima të tjera nga koronavirusi, duke e çuar numrin total të të vdekurve në 4 670 persona, 1 422 më shumë se sa Kina, e cila deri të enjten ishte vendi më i tronditur në botë nga infeksioni Covid-19.
Ka kaluar 1 muaj që kur një 38-vjeçar u diagnostikua në Lodi me koronavirus dhe u cilësua si pacenti zero.
Prej asaj dite Italia ka kryer mbi 200 mijë testime, nga ku 47 021 persona janë diagnostikuar me koronavirus, nga të cilët 37 860 janë të sëmurë, 5 129 janë shëruar dhe 4 670 kanë vdekur.
Mes viktimave ka 14 mjekë, ndërkohë që sot u raportua për vdekjen edhe të një 47-vjeçari, punonjës i policisë në Bergamo.
Rajoni më i prekur mbetet ai i Lombardisë me 22 264 të infektuar, 2 549 prej të cilëve kanë vdekur.