
Sistemi politik në Shqipëri është një sistem mes autokracisë dhe demokracisë. Ky është vlerësimi i revistës prestigjioze britanike The Economist, e cila në Indeksin e Demokracisë 2015 e rendit Shqipërinë në vendin e parafundit në rajon, duke lënë pas vetëm Bosnje-Hercegovinën.
Indeksi ofron një pasqyrë të gjendjes së demokracisë në 167 shtete të botës. Në shqyrtim merren pesë kategori: proçesi zgjedhor dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisë, të drejtat cilive, pjesëmarrja në politikë dhe kultura politike. Bazuar në rezultatet e secilës kategori, vendet me pas kategorizohen në katër lloje regjimesh: demokraci e plotë, demokraci me probleme, regjim hibrid dhe regjim autoritar.
Vlerësimin më të ulët Shqipëria e merr për funksionimin e qeverisë me notën 4,36 (në një sistem vlerësimi nga 0-10), ndërsa me notën më të lartë 7,65 vlerësohen të drejtat cilive. Rezultati i përgjithshëm për Shqipërinë është 5,91.
Cilësimi si vend me një regjim hibrid vjen si pasojë e mosfunksionimit të mirë të qeverisë, parregullsitë në zgjedhje, përhapja e korrupsionit, sundimi i dobët i ligjit apo mospasja e një sistemi gjyqësor të pavarur.
Në raport, vihet theksi tek mosmarrëveshjet mes partive kryesore në vend, që bëhen shkak për stanjacionin e demokracisë, ndërkohë që përgëzohet puna e bërë deri më tani për mbrojtjen e të drejtave të njeriut apo vullneti për reformën në drejtësi.