Mosrespektimi i të drejtës së pronës dhe korrupsioni janë dy problemet serioze të ekonomisë shqiptare, ndërsa liria fiskale është në nivel të kënaqshëm.
Këto janë gjetjet e Indeksit të Lirisë Ekonomike 2016 hartuar nga Heritage Foundation dhe Wall Street Journal, i cili rendit vendet në bazë të lirisë së tyre ekonomike.
Shqipëria është renditur e 59-ta nga 178 shtete të vlerësuara, duke u kategorizuar si vend me ekonomi pjesërisht të lirë.
Vlerësimin më të ulët Shqipëria e ka marrë për të drejtën e pronës dhe lirinë nga korrupsioni, të vlerësuara me 35 pikë nga 100. Liria fiskale është treguesi më i vlerësuar për Shqipërinë me 87,8 pikë.
Indeksi vëzhgon 10 faktorë sasiorë e cilësorë, përfshi lirinë nga korrupsioni, të drejtën e pronës, lirinë fiskale, shpenzimet qeveritare, lirinë e biznesit, të investimeve dhe fiskale. Ai është hartuar me të dhënat e vëzhguara gjatë periudhës midis mesit të vitit 2014 dhe mesit të vitit 2015.