Absurdi Rama: krahason kriminelët e vrarë me gratë e përdhunuara

Absurdi Rama: krahason kriminelët e vrarë me gratë e përdhunuara

Duket se një ndër treguesit kryesorë të megallomanisë, humbjes së sensit të realitetit dhe papërgjegjshmërisë së udhëheqësve tanë është fillimi i krahasimeve me Gjermaninë.

Ish Kryeministri Berisha e rendiste Shqipërinë të dytën pas Gjermanisë për zhvillim ekonomik edhe pse ekonomia jonë ngjan si dy pika uji me ekonomitë më të prapambetura Afrikane.

Ndërsa, Kryeministri Rama e ka bërë qasje kryesore të tij që çdo akt klientelist e korruptiv, e çdo politikë të dështuar që ndërmerr ta shesë si alla gjermane, të frymëzuar nga praktika qeverisëse gjermane.

Por krahasimi i sotëm me Gjermaninë i Zotit Rama ka kaluar delirin e zakonshëm.

Për të relativizuar serinë e krimeve të rënda që nuk ndalen Zoti Rama u shpreh:

Sigurisht që ndodhin krime. Ku nuk ndodhin krime, në vendin më të sigurt të Evropës, në sheshin më të sigurt, natën e Vitit të Ri u deklaruan mbi 60 vajza e gra të përdhunuara.”

Komenti u referohet ngjarjeve të Gjermanisë gjatë festimeve të Vitit të Ri. Në vigjiljen e 1 janarit 2016, në qytetin e Këlnit u raportuan mbi 1 mijë ngacmime dhe sulme seksuale ndaj të paktën 80 grave, kryesisht prekje dhe ngacmime fizike seksuale, por dhe të paktën 5 përdhunime seksuale. Sulmet ndodhën në vende publike, përfshi qëndrën e qytetit. Policia raporti se të paktën 1 mijë persona u përfshinë në këto sulme pothuajse të gjitha me prejardhje afrikane dhe arabe. Shumë prej tyre ishin azil kërkues të ardhur rishtas në Gjermani.

Sulmet, të cilat policia i quajti një “dimension tërësisht të ri i krimit, sollën tronditje të jashtëzakonshme shoqërore dhe politike në Gjermani. Shumë politikanë sulmuan politikat liberale ndaj azilkërkuesve të Kancelares Merkel, ndërsa dhjetra mijëra qytetrarë gjermanë bënë thirrje kundër refugjatëve dhe një pjesë e tyre ndërmorën sulme fizike ndaj emigrantëve. Si rezultat, i ndodhive të Këlnit, qeveria gjermane shtrëngoi masat për përzënien e azilkërkuesve dhe refugjatëve të përfshirë në krime, si dhe shtrëngimin e politikës ndaj pritjes së azilkërkuesve dhe refugjatëve, përfshi ata Sirianë. Sikurse u shpreh zëvendës kancelari gjerman Bouffier, “Këlni ndryshoi çdo gjë.”

Heqja e paraleles nga Kryeministri Rama mes vrasjeve mafioze të javëve të fundit në Shqipëri me dhunimet e Këlnit është një veprim që, më së pakti, dëshmon arsyetim sipërfaqësor dhe mungesë të inteligjencës emocionale.

Lehtësia me të cilën Kryeministri i një vendi, qytetarët e të cilit po kërkojnë masivisht azil në Gjermani, përdor atë ngjarje të errët dhe tronditëse me element të fortë etnike dhe kulturorë si justifikim për të mbrojtur idenë absurde se 33 kriminelë të vrarë, të plagosur apo vrasës në 5 javë nuk janë arsye e mjaftueshme për të kritikuar ministrinë e tij të brendshme është çmënduri.

Ndërsa imazhi që kërkon të përhapë Kryeministri Rama se ai ka të njejtën “dhimbje koke” si qeveria gjermane është qesharak.

Mbi të gjitha, që Kryeminsitri i krahason gratë e dhunuara mizorisht në masë në mes të qytetit  me kriminelët vikitma të dhunës ndaj njëri-tjetrit, është mungesë totale vetëdije dhe ndjeshmërie ndaj grave dhe të drejtave të tyre minimale njerëzore.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>