Gjykata Kushtetuese shfuqizoi, sot, tetë nene të ligjit “Për ndryshimin e proçedurave tatimore”, i njohur ndryshe si ligji i gjobave ndaj biznesit.
Nenet e shfuqizuara janë:
- Neni që parashikon gjobë 10 milionë lekë për tregtarët e shumicës që kanë mallra të pashoqëruar me dokumente tatimore;
- Neni që parashikon gjobë 500 mijë lekë për bizneset që nuk lëshojnë faturë apo kupon tatimor;
- Neni që parashikon gjobë 500 mijë lekë për mosdeklarim të punonjësve;
- Neni që parashikon gjobë 500 mijë lekë për mosdeklarim të pagës reale të punonjësve;
- Neni që parashikon gjobë 500 mijë lekë për mosafishim të çmimeve;
- Neni që parashikon gjobë 500 mijë lekë për kryerjen e veprimtarive në adresë të padeklaruar;
- Neni që parashikon gjobë 500 mijë lekë për bizneset që nuk kanë të afishuar njoftimin mbi të drejtën e blerësit për të mos paguar nëse nuk merr kuponin tatimor;
- Neni që dënon shkeljet në faturë apo dëftesë tatimore me dhe pa TVSH me gjobë të barabartë me detyrimin tatimor të padeklaruar.
Ligj i gjobave u miratua nga Kuvendi në dhjetor 2015, pavarësisht kundërshtimit dhe protestave të bizneseve.
Më pas, ai u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe nga Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve.