Përfaqësues të grupimit qytetetar Për Publiken denoncuan, sot, dhunën e policisë ushtruar ndaj qytetarëve në protestën e djeshme tek Parku i Liqenit. Me anë të një konference për shtyp, aktivistët deklaruan:
“Dhuna policore është ushtruar ndaj qytetarëve paqësorë pa asnjë shkak. Policia Bashkiake ka shkelur, gjithashtu, ligjin dhe ka vepruar jashtë kompetencave të saj. Në mënyrë skandaloze, mes rradhëve të policisë ka patur persona të veshur civil që kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve.”
Njëri prej aktivistëve, me inicialet I.M., i cili u dhunua dje dhe përfundoi në spital, deklaroi se ka kallëzuar penalisht policët të cilët e dhunuan dhe do t’i shkojë deri në fund betejës për drejtësi.
Përfaqësuesit e nismës hodhën poshtë pretendimet e Kryebashkiakut Veliaj se qytetarët kanë goditur me lopatë një polic. “Ky është pretendim i qëllimshëm i Zotit Veliaj. E vërteta është se protestuesit në asnjë moment nuk kanë ushtruar asnjë lloj dhune ndaj policëve apo zyrtarëve të tjerë publikë.”
Në fund, ata dekalaruan se protestat e tyre kundër paligjshmërisë dhe betonit që Kryebashkiaku Veliaj mbron, do të vazhdojnë.
Nisma qytetare Për Publiken ka disa javë që po proteston në mënyrë paqësore kundër ndërtimin të këndit të lojrave, brenda Parkut të Liqenit. Gjatë protestës së djeshme, 16 qytetarë janë shoqëruar në komisariat dhe dhjetra të tjerë janë dhunuar nga policët bashkiakë dhe forcat e rendit.