Kryeministri Edi Rama ftoi, sot, publiksht kryetarin e PD-së Lulzim Basha në një tryezë të nivelit politik, për të diskutuar për reformën ne drejtësi.
“Ftoj publikisht PD-në dhe lidershipin e saj të ulemi në një tryezë të dialogut politik dhe jemi gati të dëgjojmë me vëmendje dhe me respekt PD-në,” deklaroi Kryeministri, në konferencën për shtyp pas takimit me komisionerin për Zgjerim të BE-së Johannes Hahn.
Zoti Rama tha se maxhoranca është e gatshme t’i mbyllë diskutimet brenda marsit, ashtu siç rekomanduan Komisioni i Venecias dhe komisionerët e BE-së.
Deklarata e tij erdhi pas asaj të komisionerit Hahn për rëndësinë e arritjes së dakordësisë për reformën në drejtësi, si kushtin kryesor për hapjen e bisedimeve mes Shqipërisë dhe BE-së.