Dokumentet e Panamasë, janë përfshirë të paktën 22 shqiptarë

Dokumentet e Panamasë, janë përfshirë të paktën 22 shqiptarë

Dokumentet sekretë, të njohura tashmë si Dokumentet Panameze, kanë zbuluar dy kompani shqiptare që kanë shërbyer si ndërmjetës mes klientëve të tyre dhe kompanisë panameze, me qëllim krijimin e kompanive offshore.

Me porosi të këtyre dy ndërmjetëseve shqiptare, Mossack Fonseca ka krijuar disa kompani, aksionerë të të cilave janë 22 persona. Është e arsyeshme të mendohet që shumica e tyre, në mos të gjithë, janë qytetarë shqiptarë. 

Informacionet e deri tanishme nuk përmbajnë numrin e kompanive të krijuara me porosi nga Shqipëria, as emrat e tyre apo të aksionerëve të tyre.

Ajo që është e sigurtë është se numri i shqiptarëve që kanë përfituar nga kompani offshore për të kanalizuar paratë e tyre është më i madh se 22.

Në parim, formula e fshehjes së të ardhurave në llogari offshore është ajo e depozitimit të tyre, fillimisht, në një bankë të huaj, e cila pastaj blen apo krijon kompani offshore në emër të klientit që ka depozituar paratë.

Pikërisht për këtë arsye, blerësit më të mëdhenj të kompanive offshore nga Mossack Fonseca kanë qenë bankat, përfshi disa banka të rëndësishme botërore.

Rreth 11 milionë dokumenta sekrete të kompanisë Mossack Fonseca, një ndër kompanitë më të mëdha botërore të shërbimeve ligjore-financiare offshore, iu dërguan para një viti gazetës Suddeutsche Zeitung, në një akt që përbën rrjedhjen më të madhe, deri tani, të informacioneve sekrete.

Gazeta e ndau informacionin me Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë që përfshin rreth 1oo organizata lajmesh në botë. Për më shumë se një vit, qindra gazetarë nga këto organizata sistemuan, verifikuan dhe analizuan të dhënat që përmbanin informacion për mbi 200 mijë kompani offshore, në periudhën nga 1977 deri 2015.

Dokumentet e bëra publike dje, dëshmojnë se politikanë, biznesmenë dhe njerëz të tjerë të shquar, nga rreth 200 vende të botës janë përfshirë në aktivitete offshore, të cilat mundësojnë fshehje të pasurisë, shmangie taksash, pastrim parash e të tjera aktivitete të jashtëligjshme apo në shmangie të ligjit.

Mes liderëve botërorë të ekspozuar nga publikimi i djeshëm janë Presidenti i Rusisë Putin, Presidenti i Ukrainës Poroshenko, Presidenti i Argjentinës Macri dhe mbreti i Arabisë Saudite Al Saud.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>