Komisioneri i BE-së Dimitris Avramopoulos dhe Europoli kanë publikuar raportin vjetor mbi luftën kundër lëndëve narkotike. Raporti pasqyron gjendjen e prodhimit e trafikimit të drogës në tregun europian.
Raporti mbulon edhe Shqipërinë, konklusionet kryesore për të cilën janë:
- Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në prodhimin dhe furnizimin e kanabisit për tregun europian.
- Shqipëria luan rol në shpërndarjen e hashashit afgan, i cili prej Shqipërisë futet në disa vende europiane.
Konstatimet më të detajuara të raportit janë:
Prodhimi dhe tregtia e kanabisit
- Vende kryesore të prodhimit të kanabisit në Ballkan janë Shqipëria, Serbia, Bullgaria dhe Kosova, të cilat furnizojnë rajonin lindor dhe jug-lindor të Europës.
- Shqipëria është një vend i rëndësishëm i prodhimit të kanabisit për tregjet e huaja. Megjithatë, situata duket se ka ndryshuar në verën e vitit 2014, si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë për të luftuar kultivimin e kanabisit.
- Greqia është pika kryesore hyrëse në tregun europian e kanabisit të prodhuar në Shqipëri, i cili prej andej shpërndahet në disa vende europiane përfshi Kroacinë, Hungarinë, Çekinë dhe Austrinë.
- Nga rrugë të ndryshme, kanabis sativa e prodhuar në Shqipëri hyn në tregjet e Europës perëndimore, përfshi Italinë, Francën dhe Gjermaninë.
- Europoli raporton se kanabisi i prodhuar në Shqipëri trafikohet në Hollandë, ku përzihet për të rritur fuqinë e kanabisit hollandez dhe kjo përzierje është e destinuar për tregun britanik.
- Grupet e organizuara kriminale hollandeze dhe vietnameze janë aktorët kryesorë në tregtimin e kanabis sativa në Europë. Këto grupe bashkëpunojnë me grupe kriminale shqiptare dhe marokene.
- Shqipëria dhe Hollanda janë shpërdarësit kryesor të hashashit afgan në tregjet europiane.
Prodhimi dhe tregtia e heroinës
- Grupet kriminale shqiptare, turke dhe pakistineze janë aktorët kryesorë të trafikimit të heroinës në Europë.
- Shqipëria është pjesë e korridorit ballkanik të kalimit të heroinës afgane dhe iraniane, nëpërmjet Turqisë, për në tregjet europiane.
- Grupet kriminale shqiptare kanë rol dytësor në shpërndarjen dhe kontrollin e heroinës në tregjet europiane.
- Duhet monitorim aktiv për të indentifikuar rreziqet e mundshme lidhur me prodhimin dhe trafikimin e heroinës në disa zona të botës, përfshi Afganistanin dhe Shqipërinë.