Dy pilotë kanë humbur jetën dhe një ushtar është plagosur nga rrëzimi i një helikopteri të ushtrisë në liqenin e Shkodrës. Tre personat po bënin një fluturim stërvitor nga Farka për në Grishë të Malësisë së Madhe.
Sipas informacioneve të policisë, aksidenti erdhi nga një defekt i helikopterit që shkaktoi shpërthimin e tij në ajër. Helikopteri ra në liqen dhe vetëm një prej personave në bord arriti të dilte jashtë tij me anë të një parashute, e të notonte deri në breg. Policia ka arritur të nxjerrë të dy trupat e pilotëve nga liqeni.
I plagosuri me inicialet G.M ndodhet në spitalin e Shkodrës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura Jeronim Baze, në një konferencë për shtyp, shprehu keqardhjen për familjet e pilotëve.
Helikopteri i tipit EC 145 i firmës franceze EuroCopter u ble nga Ministria e Mbrojtjes në tetor të vitit 2015.