Gjykata e Shkodrës ka dhënë, të enjten, masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Stjuart Smakaj, autorin e vrasjes së Gledis Krajës në 17 gusht.
Smakaj ka pranuar krimin, por ka thënë se Krajën e ka pasur shok dhe nuk ka qenë ai objektivi i tij.
Policia është ende në kërkim të vëllait tjetër, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasje.
Sipas deklaratave të deritanishme të policisë, Gledis Kraja ka qenë shok me dy vëllezërit. Ai ka ndërhyrë për të qetësuar një sherr të vëllezërve me disa punonjës të një mobilerie mbrëmjen e 17 gushtit.
Pas sherrit, Stjuart Smakaj ka marrë automatikun dhe ka dashur të qëllojë me armë punëtorët, por padashje ka qëlluar në shpatull dhe Gledis Krajën, i cili më pas ka humbur jetën në spital.
Stjuart dhe Sebastian Smakaj janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Një ditë më pas, në 18 gusht, Stjuarti është vetëdorëzuar dhe ka pranuar krimin, ndërsa vëllai tjetër është ende në kërkim.