Kryeministri Edi Rama ka kujtuar të mërkurën ditëlindjen e Nënë Terezës dhe vdekjen e Migjenit.
Në një postim në Facebook, Rama shkruan se secili prej tyre ka pasur rolin e tij për Shqipërinë dhe njerëzimin:
“Nënë Tereza jetoi gjatë, si një lutje pëshpëritëse, Migjeni pak, si një bubullimë buçitëse.”
Më pas kryeministri Rama e quan të paharrueshme punën e Nënë Terezës dhe Migjenit:
“Ishin të dy shqiptarë, por Shqipëria ishte shumë e vogël për ta, atdheu i saj u bë bota ndërsa atdheu i tij poezia. Njëra besonte në një e në të vetmin Zot që e kërkonte lart në qiell, tjetri hahej me Zotat që i shihte nga lart poshtë”.
Rama shprehet se Nënë Tereza po ‘vazhdon të sajën si shenjtore nga lartësia e qiellit,’ ndërsa Migjeni ‘vazhdon me të vetën si zëri i të resë nga thellësia e tokës’.