Partia Demokratike ka denoncuar të mërkurën dështimin e qeverisë Rama për të përfunduar para vitit shkollor shkollat e dëmtuara nga tërmeti.
Ish-deputeti Gent Strazimiri, në një deklaratë për shtyp nga Durrësi, deklaroi se qeveria nuk ka asnjë plan për rreth 13 mijë nxënës të 27 shkollave të dëmtuara nga tërmeti.
“Janë 27 shkolla në Durrës që praktikisht kanë mbetur pa proces mësimor.
Fëmijët e Durrësit, 13 mijë prej tyre, janë në kushtet që duhet të sistemohen me distancim fizik, me dezinfektim dhe me çdo masë tjetër që do të duhej të merrej teorikisht shkolla shqiptare, janë të detyruar të futen të gjithë në ato shkolla gjysëm të shembura që ende kanë mbetur.”
Sipas opozitës, plani që ministria ka bërë publik me protokollet për vitin e ri shkollor, janë praktikisht të parealizueshëm edhe në kushte normale, edhe sikur këto 27 shkolla të kishin qenë ende në këmbë dhe të rikonstruktuara tashmë.