Shqipëria është kthyer në parajsën e pastrimit të parave të fituara nga aktivitete kriminale, të cilat janë burimi kryesor i parave të pista në vend.
Pas trafikimit të narkotikëve, korrupsioni dhe vjedhjet e fondeve publike janë burimi i dytë më i madh i parave të paligjshme në Shqipëri.
Këto janë gjetjet shqetësuese të raportit për ‘Flukset financiare të paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut’, të Global Initiative, për vitin 2019, i financuar nga projekti gjerman GIZ dhe Ministria e Jashtme Norvegjeze.
Pjesa më e madhe e fitimeve nga trafiku ndërkombëtar i drogës së bandave shqiptare, sillen në Shqipëri dhe injektohen në ekonomi, veçanërisht në ndërtim.
Exit News sjell më poshtë gjetjet kryesore të raportit:
– Trafikimi i drogës ka qenë aktiviteti më fitimprurës për grupe kriminale nga Shqipëria. Kanabisi krijon fitime të paligjshme nëpër të gjithë zinxhirin, që nis nga fshatarët që kultivojnë bimën deri tek grupet e krimit të organizuar që e trafikojnë dhe e shesin në vendet e BE-së.
– Fitimet nga trafikimi i kokainës janë shumë më të mëdha se ato të kanabisit. Përfshirja e grupeve shqiptare të krimit të organizuar në zinxhirin ndërkombëtar të trafikimit të kokainës mendohet se gjeneron sasi të mëdha të ardhurash kriminale në rajon
– Pas trafikimit të narkotikëve, korrupsioni dhe vjedhjet e fondeve publike janë burimi i dytë më i madh i parave të paligjshme në Shqipëri.
– Rreth 300 milionë euro humbasin çdo vit nga abuzime me procedurat e prokurimeve publike, që do të thotë gati 45 për qind të vlerës totale të kontratave publike që u akorduan gjatë vitit 2019.
– Fitimet e paligjshme të bandave jashtë transferohen në cash brenda vendit.
– Grupe të krimit të organizuar përdorin rrjetet e tyre të shpërndarjes për këtë qëllim, dhe korrierët e parave udhëtojnë rregullisht ndërmjet vendeve të BE-së, Britanisë së Madhe, dhe Shqipërisë, duke mbajtur me vete jo më shumë se 10,000 euro për çdo udhëtim, për të mos ngjallur dyshime.
– Rritja e vlerës së lekut në raport me euron që nga viti 2016, e cila nuk mund të shpjegohet nga volumi i shkëmbimeve në ekonominë e rregullt, është rezultat i kanalizimit të parave të paligjshme në vend.
– Përdorimi i gjerë i parave të paligjshme në këtë sektor ka ndikuar në rritjen e çmimit të pasurive të paluajtëshme, veçanërisht në Tiranë, ku çmimi mesatar i apartamenteve të banimit arriti në pak më shumë se 1,000 euro/m2 në fund të vitit 2019.
– Nga 141 kompani që kanë marrë leje për të ndërtuar godina me gjashtë kate (e më lart) për periudhën 2017–2019, afro 59 për qind e tyre nuk dukej se i kishin mundësitë financiare për t’i përfunduar ndërtimet, çka lë dyshime për kthimin e ndërtimit në lavatriçen e madhe të pastrimit të parave.