Protestuesit në Berlin u përpoqën të sulmojnë ndërtesën e parlamentit gjerman të shtunën pas protestës kundër kufizimeve të pandemisë, raporton Politico.eu.
Policia në Berlin e shpërndau më herët protestën kundër kufizimeve të koronavirusit sepse protestuesit shkelnin udhëzimet e urdhëruara nga gjykata për distancën shoqërore, sipas të përditshmes gjermane Die Welt.
Por një demonstrim i madh pranë Portës së Brandenburgut u zhvillua siç ishte planifikuar. Autoritetet thanë se morën pjesë rreth 38,000 njerëz.
Sipas Die Welt, qindra njerëz, disa që tundnin flamuj dhe parulla të ekstremit të djathtë, vrapuan drejt ndërtesës së parlamentit dhe lart shkallëve. Policia tha në Twitter se disa njerëz kishin hyrë në shkallët e parlamentit, por nuk hynë brenda në ndërtesë.
Dhjetëra mijëra persona protestuan në kryeqytetin gjerman të shtunën në mëngjes, një ditë pasi një gjykatë rrëzoi ndalimin e qytetit për protestën, sipas vlerësimeve të policisë. Protestat u organizuan nga lëvizja me qendër në Stuttgart “Querdenken 711”, e cila ka më shumë se 16,000 ndjekës në Facebook.
Të premten, një gjykatë rajonale gjermane i dha dritën jeshile protestave në Berlin, duke vendosur kundër vendimit të Bashkisë për ndalimin e protestave të tilla.