Kryeministri urdhëron mësimin e fesë në shkollë – rrezikohet laiciteti

Kryeministri urdhëron mësimin e fesë në shkollë – rrezikohet laiciteti

Kryeministri Rama ka vendosur në mënyrë arbitrare të fusë edukimin fetar në shkollat publike 9-vjeçare.

Me urdhër të tij, prej disa muajsh Instituti i Zhvillimit Arsimor dhe Ministria e Arsimit kanë filluar punën për hartimin e një programi për mësimin e fesë në shkollat publike.

Ndërkohë, mes specialistëve që po merren me këtë detyrë ka paqartësi e pasiguri dhe nuk është vendosur ende nëse mësimi rreth fesë do të jetë një lëndë më vetë apo modul i veçantë në lëndën e edukimit qytetar. Sipas tyre, me shumë gjasa kjo çështje do të vendoset nga Kryeministri në ditët e ardhshme.

Vendimi i Kryeministrit vë në pikëpyetje serioze laicitetin e sistemit arsimor. Ndërkohë, zbatimi i tij krijon një sërë problemesh të mprehta, duke patur parasysh vështirësinë e mësimit të fesë në një vend që njeh zyrtarisht katër besime fetare.

Por Kryeministri duket i pashqetësuar nga këto ndjeshmëri. Në një koncert të organizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar, ai deklaroi:

“Ky projekt konsiston jo në cënimin e laicitetit të shkollës sonë, por në forcimin e themeleve të kulturës laike e cila është e dobët dhe e pafuqishme të përballet me format e ekstremizmit te dhunshëm apo ekstremizmit me kostum e kravatë nëse nuk arrin dot të pajisë fëmijët e të gjitha besimeve me instrumentin njohës për faktin fetar si gjenerues dhe me vëmendjen e mprehur për të mos rënë pre ndaj tundimeve të mëdha që joshin dhe që kthejnë në xhihadizëm vajza e djem pikërisht se mungojnë këto instrumenta.”

Projekti i futjes së mësimit të fesë në shkolla është projekti i rradhës në serinë e një sërë projektesh me fokus tek feja që Kryeministri Rama ka vendosur të ndërmarrë.

Para Piramidës, në qendër të Tiranës, do të ndërtohet i ashtuquajturi Parku i Besimit, një sipërfaqe e mbjellë me të gjitha llojet e pemëve dhe bimëve që përmenden në librat fetare, përfshi Biblën, Kuranin dhe Torën. Puna ndërtimore pritet të nisë shtatorin e ardhshëm.

Ndërkohë në Parkun e Liqenit në Tiranë është parashikuar ndërtimi i një shëtitoreje të re, të quajtur Shëtitorja e Besimit.

Që pas ardhjes së tij në pushtet, Kryeministri Rama e shndërroi çështjen e fesë dhe harmonisë fetare të vendit në një nga temat kryesore të diskutimit të tij publik, kryesisht diskursit politik me të huajt.

Pak kohë pasi u bë Kryeministër, Zoti Rama deklaroi në publik se ai është pagëzuar si katolik, ndërkohë që familja e tij ka përkatësi të shumëllojshme fetare, por kjo gjë nuk i pengon ata të jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin.

Kryeministri propagandoi dhe përdori për një kohë të gjatë vizitën në Shqipëri, në shtator 2014, të Papa Françeskut dhe, në përgjithësi, figurën dhe thëniet e Papës si frymëzim të tij dhe të mbarë vendit.

Në mënyrë të përsëritur ai ka shfrytëzuar aktet terroriste në vende të ndryshme të Europës, të ushtruara nën pretekste fetare, për të propaganduar harmoninë fetare të Shqipërisë, duke e shpallur atë si një shembull për t’u marrë nga e gjithë bota.

Në disa raste të tjera ai ka luajtur me anën e kundërt duke paralajmëruar ekstremizmin fetar si një rrezik që i kanoset Shqipërisë dhe Ballkanit nëse ata nuk integrohen në Europë.

Në të gjitha këto përpjekje, Zoti Rama e ka portretizuar apo nënkuptuar veten e tij si përfaqësuesi dhe mishërimi i kësaj harmonie, duke predikuar kudo vlerat e tolererancës dhe harmoninë fetare.

Ky lloj fokusimi kaq i madh në këto çështje nga Kryeministri duket si përdorim i fesë për të mbuluar dështimet e qeverisjes së tij apo si një tjetër abuzim i fesë për imazh personal.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>