Naftëtarët e Fierit i kanë lënë afat deri në 14 shtator kompanisë ‘Allun’, që menaxhon rafinerinë, për të paguar pagat e prapambetura dhe për të rinisur punën. Ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestës nëse kompania nuk mban premtimet.
Në një protestë të premten, naftëtarët shprehen se të hënën, 14 shtator rinis mësimi dhe ata nuk munden të paguajnë shpenzimet e shkollimit të fëmijëve të tyre, pasi prej 10 muajsh nuk marrin asnjë pagë.
Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj deklaroi se përfaqësuesit e kompanisë janë zhdukur, megjithsë një javë më parë ata premtuan se do të nënshkruanin kontratat e reja të punës dhe do të paguanin pagat e prapambetura:
“Sot ka qenë afati i fundit për kontrata dhe dhënia e pagës së premtuar. Me dhënien e këtyre dyjave duhet të fillonte puna. Kjo është një tallje e pafund, se tentojmë t’i kontaktojmë dhe nuk na përgjigjen.”
Naftëtarët kërkojnë ndërhyrjen e ministres Balluku për të zgjidhur situatën dhe për të bërë të mundur që naftëtarët të marrin pagat.
Në shkurt 2020, naftëtarët u futën dhe në grevë urie për rrogat prapambetura por pranuan të riktheheshin sërish në punë kur u njoftuan se një kompani e re do të merrte administrimin e rafinerisë dhe se do të gjehej një mundësi për të paguar rrogat e prapambetura.
Rafineria e naftës në Ballsh ka vite që has probleme keqmenaxhimi edhe pse është një nga sektorët kyç të ekonomisë së vendit.
Analistë të ekonomisë thonë se kompani të regjistruara në parajsa fiskale e marrin rafinerinë në përdorim nuk shlyejnë detyrimet ndaj shtetit dhe punëtorëve dhe largohen duke lënë pas detyrime edhe më të mëdha.