Presidenti Bujar Nishani u takua sot, me një grup qytetarësh që kundërshtojnë ndërtimin në Parkun e Liqenit, me të cilët bisedoi për më shumë se një orë.
Sipas burimeve nga pjesëmarrësit në takim, qytetarët i shprehën Presidentit mendimet e tyre në lidhje me paligjshmërinë e proçedurave të miratimit të lejes dhe të ndërtimit të këndit të lojrave në Park, në mënyrë të veçantë mungesën e studimit për ndikimin në mjedis dhe informimin dhe përfshirjen e qytetarëve në vendim-marrje, të cilat janë detyrime të qarta ligjore.
Qytetarët shprehën njëkohësisht kundërshtimin e tyre për nivelin e betonizimit të parkut si pjesë e këndit të lojrave i cili përfshin elementë të shumtë betoni.
Qytetarët i shprehën presidentit revoltën për mungesën e çdo lloj reagimi nga institucionet shtetërore që kanë detyrim ligjor të veprojnë, përfshi Prokurorinë e cila edhe pse ka marrë disa padi në lidhje me paligjshmërinë e ndërtimit nuk ka ndërmarrë ende asnjë veprim.
Presidenti Nishani deklaroi gjatë takimit, se do të komunikojë me Prokurorinë e Përgjithshme për të mësuar më shumë informacion mbi fatin e padive të qytetarëve.
Presidenti u shpreh gjithashtu, se do të ndjekë ecurinë e padive të bëra në Gjykatën Administrative nga qytetarët me akuzën e shkeljeve administrative në miratimin e lejes së këndit të lojrave, veçanërisht shkeljen e Konventës Aarhus për përfshirjen e publikut në vendim-marrje.
Ndër të tjera, Presidenti premtoi dhe asistencë ligjore për qytetarët, nëse çështja e ndërtimit në park shkon në Gjykatën Kushtetuese.