Bashkia Tiranë ka ndryshuar funksionin e Rrugës e Durrësit, një prej rrugëve kryesore për përballimin e trafikut të qytetit dhe arterie e hyrjes së Tiranës.
Nga me katër korsi për qarkullimin e makinave, tani Rruga e Durrësit ka vetëm dy korsi për makina dhe dy për biçikleta e këmbësorë, njësoj në mos më të gjera se korsitë e makinave.
Në korrik, bashkia nisi punimet për rindërtimin e rrjetit të kanalizimeve në këtë rrugë dhe për këtë arsye, qarkullimi në të u ndalua.
Pak ditë më parë, rruga u hap për kalimin e makinave dhe funksionimi i saj kishte ndryshuar totalisht:
- Nga me 4 korsi, dy për çdo drejtim, që ishte më parë, rruga është bërë vetëm me dy korsi dhe vetëm me një drejtim.
- Dy korsitë e tjera janë kthyer në korsi edhe më të gjera se zakonisht, për biçikleta dhe këmbësorë, në të dy anët e rrugës.
Siç dallohet dhe në foto, zgjedhja e bashkisë për të bërë korsi për këmbësorët dhe në rrugë është e çuditshme, pasi rruga e Durrësit ka në të dy anët trotuarë të gjerë për këmbësorët.
Kjo ndërhyrje është në vazhdën e disa investimeve të kryera nga Bashkia që vështirësojnë trafikun në Tiranë. Publikisht zyrtarët e Bashkisë shprehen se duan të dekurajojnë përdorimin e tepërt të makinave në qytet, por ndërkohë nuk kanë ofruar asnjë alternativë të vërtetë për të lehtësuar lëvizjet.
Ndërkohë, siç kemi shpjeguar më parë në Exit News, argumenti për mbi-përdorim të makinave nuk mbështetet nga statistikat. Shqipëria ka një nga normat më të ulëta të makinave për frymë dhe të konsumit të naftës për frymë në Evropë, krahasuar edhe me vendet model për përdorimin e biçikletave dhe transportit publik.
Mbi të gjitha, teksa bashkia vazhdon të promovojë publikisht përdorimin e transportit publik dhe biçikletave në qytet, ajo ka vazhduar të lejojë ndërtime masive pranë qendrës së qytetit, të cilat vetëm shtojnë trafikun dhe lëvizjet drejt saj.