Partia Demokratike ka denoncuar të hënën një tjetër rast të një familjeje në Kombinat, shtëpia e së cilës është dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit, por ende vazhdon të jetojë në kushte të vështira pa mbështetje nga shteti.
Përmes një videoje për PD-në, pjestarët e familjes Llaçi tregojnë se jetojnë tre kurora në një shtëpi, pasi marrin vetëm një bonus qiraje nga bashkia.
Pjesën tjetër të pagesës së qirasë, si dhe faturën e ujit e dritave, familja e paguan nga të ardhurat e pakta të saj.
Jetmir Llaçi sqaroi se shtëpia private e tyre është vlerësuar si e pabanueshme nga ekspertët, por se ende nuk kanë një përgjigje përfundimtare nga bashkia, nëse shtëpia do të prishet apo jo.
“Ne duam një përgjigje sa më të shpejtë. Kaq. Kjo lagje kanë thënë për t’u prish, të vijnë ta prishin, ose të vijnë o vlla të shohin që janë njerëzit nëpër shtëpia [të dëmtuara]. Po sikur t’i shembet të vdesin brenda, kush do të mbajë përgjegjësinë? Mirë që s’po vijnë të na shohin dhe po na lënë kështu, por duan të na çojnë dhe në Vaqarr,” u shpreh një prej vëllezërve Llaçi.