Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Ukrainë i bëri thirrje qeverisë ukrainase të hetojë të gjitha krimet kundër gazetarëve, raporton REL.
Ukraina shënoi të mërkurën 20-vjetorin e ditës kur gazetari i shquar, Heorhiy Gongadze, u zhduk dhe më vonë u gjet i vdekur.
“Sot, ne përkujtojmë Heorhiy Gongadzen, një gazetar i guximshëm, i cili është vrarë në kërkim të së vërtetës. Asnjë anëtar i shtypit nuk duhet të kërcënohet, sulmohet ose arrestohet për punën e tij ose të saj. Krimet ndaj gazetarëve duhet të hetohen plotësisht dhe menjëherë, në mënyrë që kryesit e tyre të mbahen përgjegjës. Mediat e pavarura janë një pjesë e rëndësishme e demokracive të suksesshme”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Ukrainë.
Gongadze, i cili ka ekspozuar korrupsionin e nivelit të lartë politik, është rrëmbyer më 16 shtator të vitit 2000. Trupi i tij i prerë u gjet më vonë në një pyll, jashtë kryeqytetit ukrainas.
Presidenti i atëhershëm i Ukrainës, Leonid Kuchma u akuzua për përfshirje në vrasje, bazuar në disa audio-regjistrime të bëra fshehurazi në zyrën e tij.
Prokurorët e kanë akuzuar Kuchmën në vitin 2011, por një gjykatë më vonë i ka hedhur poshtë akuzat kundër tij.
Në vitin 2008, tre ish-oficerë policorë u dënuan me burgime të gjata për vrasjen e Gongadzes.
Pastaj, në vitin 2012, ish-zyrtari i lartë i policisë, gjenerali Oleksiy Pukach, është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Gongadzes.
Hetuesit kanë thënë atëbotë se ish-ministri i Brendshëm, Yuriy Kravchenko – i cili është gjetur i vdekur në banesën e tij afër Kievit, më 2005, dhe vdekja e të cilit është cilësuar si vetëvrasje – ka urdhëruar vrasjen e Gongadzes.
Familjarët e Gongadzes, megjithatë, kanë thënë se besojnë se autorët e vërtetë të krimit nuk janë identifikuar ende.