Revista prestigjioze amerikane Foreign Policy ka botuar një artikull rreth vizitës së Kryeministrit Rama në SHBA, nën titullin Kryeministri shqiptar: “Trump është turpi i civilizimit tonë”.
Pothuajse të gjithë intervistën Zoti Rama e ka përqëndruar tek problemet e bashkëjetesës fetare dhe veçanërisht në mendimet e tij kritike ndaj kandidatit republikan për president Donald Trump.
Foreign Policy e citon Kryeministrin Rama të ketë thënë se retorika e Trumpit, përfshi thirrjen tij për të ndaluar hyrjen e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara, mund të ndezi ato lloj tensionesh fetare që vendi i tij ka mundur të shmangë.
Si dëshmi të shmangies së këtyre tensioneve në Shqipëri, Zoti Rama i ka treguar revistës se ai vetë është katolik por është martuar me një myslimane.
Sipas Zoti Rama, me qëndrimet e tij Donald Trump po kërcënon pozitën e Amerikës në arenën botërore, duke shfrytëzuar një boshllëk nga mungesa e informacioni, mungesa e shkollimit dhe mungesa e kulturës rreth feve e besimit, për të ndezur ndjenja të rrezikshme kundër myslimanëve mes pasuesve të tij.
“Unë shpresoj shumë që ai do ta kuptoj se ato që ai po thotë nuk janë mënyra për ta bërë Amerikën të madhe përsëri, por po e turpërojnë Amerikën në sytë e botës dhe në sytë e të gjithë atyre që e shohin Amerikën si qyteti që ndriçon mbi kodër” – citon revista fjalën e Zotit Rama në organizatën joqeveritare Këshilli Atlantik.
Zoti Rama nuk kurseu as liderë europianë që sipas tij kanë ide të njejta me Trump.
“Europa ka kudo Donald Trumpët e saj që kanë dalë para Donald Trumpit, që e turpëruan Europën me pikëpamjet e tyre për myslimanët, për emigrantët dhe me pikëpamjet e tyre për vetë bashkimin [europian],” i ka thënë Zoti Rama revistës, duke shtuar se “nga njëra anë e medaljes është ISIS dhe nga ana tjetër janë ky lloj ekstremistësh gjakftohtë.”
Lidhja e artikullit:
Albanian Prime Minister: “Trump is the shame of our civilization”