Policia e Korçës ka arrestuar, të enjten, pedagogun e universitetit të Korçës, Alket Dino dhe një person tjetër të dyshuar si sekser, Xhevi Dervishi. Ata akuzohen se merrnin para nga studentët në këmbim të vënies së një note kaluese në provime.
Dervishi dyshohet se ishte personi që lidhte studentët me pedagogun.
Në momentin e arrestimit, Dinos dhe Dervishit i janë gjetur 300 euro dhe 50 mijë lekë me vete.
Hetimet për rastin po kryhen nga Specialistët për Hetimin kundër Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e SPAK.