Një dozë e vetme e vaksinës eksperimetale të koronavorusit, të Johnson&Johnson, prodhon përgjigje të fortë imunitare kundër Covid-19, sipas rezultateve të brendshme të publikuara nga The Guardian.
Të dhënat treguan se një dozë e vetme ka më shumë efekt në krahasim me dy doza të vaksinës Covid-19, të kompanive Moderna dhe Pfizer.
Por, ende nuk dihet nëse vaksina ka të njëjtin efekt tek të moshuarit, si tek të rinjtë.
Testimet u kryen në 1000 të rritur të shëndetshëm. Qeveria amerikane vendosi të mbështesë testimet e Johnson&Johnson, pasi u vërtetua tek testimet mbi majmunat se mjaftonte një dozë për të prodhuar imunitet.
Bazuar në këto të dhëna, të mërkurën nisi testimi tek mbi 60 mijë persona. Kompania njoftoi se faza e tretë do të japë rezultate në fund të vitit.