Mbretëria e Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj presidentit të Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko, djalit të tij dhe gjashtë zyrtarëve të tjerë të lartë, përgjegjës për manipulimin e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale dhe shtypjen e protestave të qytetarëve.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e aseteve dhe ndalimin e udhëtimit të Lukashenkos dhe zyrtarëve të tjerë në Britani. Kjo është hera e parë e vendosjes së sanksioneve nga Britania ndajnjë vendi, pas daljes së saj nga BE-ja.
Sekretari i jashtëm, Dominic Raab, njoftoi sanksionet, të martën, pas një vendimi të ngjashëm të marrë dhe nga Kanadaja.
Ai i quajti sanksionet si një mënyrë për të ndëshkuar ata që shkelin vlerat e demokracisë që Britania respekton dhe beson.
Në njoftimin për shtyp, Sekretari i Jashtëm shkruan:
“Regjimi i Alexander Lukashenkos është përgjegjës për një varg shkeljesh të të drejtave të njeriut kundër figurave të opozitës, medias dhe qytetarëve të Bjellorusisë në prag të zgjedhjeve të manipuluara.
Përkundër thirrjeve të shumta nga bashkësia ndërkombëtare, ai ka refuzuar të përfshihet në dialog me opozitën, duke zgjedhur në vend të kësaj të dyfishojë shtypjen e tij të dhunshme ndaj qytetarëve”.